Sveçla: Policia e Kosovës është e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri

“Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike”, kështu është shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla në një postim në “Facebook”, ka thënë se bashkëpunimi i ngushtë, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit. Ndërsa ka theksuar se Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Kohëve të fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë. Natyrisht qëllimi i tyre është për t’ju shqetësuar e shtuar pasigurinë tek ju. Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme.
Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri. Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike”, ka thënë ai.
Sveçla ka lutur të gjithë për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit të cilët po kujdesen për zbatim të vendimeve.
“Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot. Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tonë!”, ka shkruar Sveçla.
Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, do të fillojë më 22 nëntor./21Media

Back to top button