Sveçla urdhëron IPK-në të hetojë përfshirjen e mundshme të policëve në rastin e Mefail Shkodrës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës – person i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
“Kam theksuar në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, angazhimin maksimal për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Sveçla ka theksuar se askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, “veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”.
Ai ka kërkuar që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe institucionet e tjera të sistemit, sidomos drejtësia, “në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”.