Sveçla viziton policinë në veri: Përkundër sfidave pashë vendosmëri dhe entuziazëm për punë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot ishte për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare.
Sveçla ka thënë se ka takuar disa nga zyrtarët policor të cilët janë ballafaquar me sulme të shumta nga strukturat ilegale serbe në mbrëmjen e 31 korrikut si dhe zyrtarë të tjerë policor që po angazhohen në mbrojtje të kufirit tonë.
“Siç kemi njoftuar, zyrtarët e kësaj pike kufitare janë sulmuar përsëri dje derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit. Që nga viti i kaluar deri më tash në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policor. Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi tek të gjithë zyrtarët policor pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare. Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai tutje ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Kosovës do të jenë me qytetarët dhe me institucionet e vendit me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies të secilit veç e veç dhe të gjithëve së bashku./21Media

Back to top button