Sveçla: Vuçiqi flet për armatosje të Serbisë, në Kosovë konfiskohen 6300 fishekë të kontrabanduar nga Serbia

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi që Policia e Kosovës ka njoftuar se në Leposaviq ka arrestuar një qytetar të nacionalitetit serb, në veturën e të cilit janë gjetur dhe konfiskuar mbi 6300 fishekë.
“Përderisa Vuçiq flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia. 6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të Serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë.
“Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cenojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Në fshatin “Jashanicë” të Leposaviqit, sot Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu ka ndaluar në një pikë kontrolli një automjet me targa të Serbisë, të cilën e drejtonte një mashkull serb. Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur rreth 6 mijë e 300 copë fishekë./21Media

Back to top button