Ligjëratat në shkolla: Syla: Kjo tregon se Gjykata Speciale është në siklet

(Lajm i përditësuar)
Ligjëratat në shkolla: Syla: Kjo tregon se Gjykata Speciale është në siklet
Gazmend Syla nga OVL UÇK në emisionin “Click” në RTV21, duke folur për ligjëratat e Gjykatës Speciale në shkolla, tha se kjo përbën një anë pozitive.
“Kjo sepse Gjykata Speciale tashmë është në hall, në siklet dhe e ka intensifikuar këtë, d.m.th. këtë tendencën me idenë që me propagandu për punën që po bën, ky është lajm i mirë sepse ajo ka kuptuar se secili qytetar në vendin tonë e di se çka është duke ndodhur në Gjykatën Speciale”, tha ai.
Por sipas tij, është e papranueshme se çka po ndodh, derisa shtoi se kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i kanë kërkuar që dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë dhe se sipas tij nuk do të kalojë pa u ndëshkuar dikush.
Syla: Asnjë deputet nuk mori iniciativë për ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Gazmend Syla nga OVL UÇK në emisionin “Click” në RTV21 tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë marrë iniciativë për të bërë diçka lidhur me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kur u pyet se a ka pasur iniciativë prej PDK-së, ai tha: fatkeqësisht jo.
“Çka është më e keqja, në krejt komunikimet që kemi pasur, edhe në institucionet ndërkombëtare, në takime me ambasadorë, na ka lënë një përshtypje që askush nga politika nuk i ka takuar këta njerëz për këtë çështje”, u shpreh Syla.
Syla: Kurti ka thënë se Thaçi po e interferon politikën në Kosovë, prokuoria e përdori këtë
Gazmend Syla nga OVL UÇK në emisionin “Click” në RTV21 foli edhe për letrën që kryeministri Albin Kurti në vitin 2022 i dërgoi Trëndafilovës.
“Kurti ka thënë edhe diçka tjetër, zoti Kurti ka thënë se z. Thaçi po e interferon politikën në Kosovë, prej atje, prej dhomave të paraburgimit, që është rendit në këtë propozimin e prokurorisë, kur i thojke gjykatës mos me i leju bashkëluftëtarëve tanë me ardh me prit vendimin në shtëpi, deri në verdiktin final, edhe kjo u rendit si njëra prej pikave që edhe kryeministri i vendit po thotë se Thaçi po interferon në politikën kosovare”, tha ai, duke përmendur se edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka caktuar çmime tavan.
Syla i OVL UÇK- së: Me Kurtin nuk patëm asnjë takim, nuk na ka afru asnjëherë
Gazmend Syla nga OVL UÇK tha në emisionin “Click” se kritikoi partinë në pushtet, Vetëvendosje, për mosmbështetje në organizimin e protestave kundër Gjykatës Speciale.
Ai tha se që 6 vite nuk kanë fare komunikim me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
“Në fillim kemi pasur një takim, ushtruesi i detyrës që ka funksionu organizata jonë, asnjëherë nuk kemi gjetur mirëkuptim me pasu takime tjera, qoftë për nevoja tona si organizatë, qoftë takim tjetër”, tha Syla.
“Qasja e kësaj partie politike karshi vlerave të UÇK ka qenë gjithmonë diferencuese, nuk na afru asnjëherë, gjithmonë na ka fye, na ka largu, na ka injoru, prandaj nuk kemi pa rrugë që mundemi me bashkëpunu me ta, dhe nuk është e palogjikshme që me i taku disa njerëz që nuk na kanë vlerësu fare si kategori”, u shpreh Syla.
Syla i OVL UÇK-së: U vonuam me protesta kundër Gjykatës Speciale
Gazmend Syla nga OVL UÇK tha në emisionin “Click” në RTV21 se kjo organizatë u vonua në organizimin e protestave kundër Gjykatës Speciale.
Megjithatë, për këtë ai dha një arsye.
“Arsyeja ka qenë kjo, si organizatë nuk kemi qenë komplet, sepse katër vite ka funksionuar organizata me ushtrues detyre, prandaj nuk është e lehtë me funksionu me ushtrues detyre. Por mendoj e kemi zënë hapin, se nuk ka shqiptar që nuk e ka dëgjuar britmën tonë… mendoj që ia kemi arrit qëllimin, qytetarët që kanë dalë në protesta i kanë thënë jo në emrin tim”, tha ai./21Media