Syla-Kurtit: Koha e diktatorëve ka kaluar!

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës Blerim Syla ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti rreth rritjes së pagave për punonjësit shëndetësorë, duke thënë se “koha e diktatorëve ka kaluar” dhe se “çdo tendencë e tij do të dështojë”.
“Kryeministri paska punë edhe me kreun e FSSHK-së, i cili nuk po i shkon për shtati. Ndërsa po i njëjti është takuar me Blerim Sylën sa ishte në opozitë dhe gjithçka ishte në rregull. Por tani ky Blerim Syla qenka i padëshiruar për Kurtin se po kërkon Ligjin e pagave dhe rritjen e mirëqenies së punëtorëve shëndetësorë. Shoku Kurti në këto takime ka thënë “Ligjin nuk e kemi votuar sepse do të dëshirojmë koeficientin 6 per mjek e 3 per infermier”. Shoku Kurti sikur e ke tepruar me kërcënime dhe shantazhe ndaj emrit Blerim Syla, por po ju rikujtoj: Koha e diktatorëve ka kaluar dhe çdo tendencë e jotja do të dështoj,” ka shkruar Syla ndër tjera.
Për më tepër, kreu i FSSHK-së konsideron se masat e reja janë vendosur pa konsultim të ekspertëve vendorë dhe se “po tregojnë që ditët në vijim do t’i rrisin numrat sipas nevojave politike”.
Duke përkujtuar se liderët sindikalë zgjidhen nga punëtorët shëndetësorë e jo nga politika, Syla thotë se është Qeveria Kurti ajo që ka shkelur ligjin antiCOVID-19 duke zbritur shtesat për punonjësit shëndetësorë.
Kryeministri, Albin Kurti në konferencën e sotme së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë folur për protestat e punëtorëve shëndetësorë për rritje të pagës.
I pari i Qeverisë ka falënderuar stafin mjekësor për punën që po bën në sektorin shëndetësor, por ka thënë se gjasat për rritje të pagës janë të vogla për shkak të siç u shpreh ai, neglizhencës së kësaj çështjeje në dy dekadat e fundit./21Media

Back to top button