“Syri i Zotit” në hapësirë!

James Webb zbulon vdekjen madhështore të një ylli
NASA ka publikuar imazhe të reja spektakolare nga Teleskopi Hapësinor James Webb, që tregojnë momentet e fundit të jetës së një ylli në hapësirën e thellë. Pamjet paraqesin Nebulozën Helix, e njohur ndryshe si “Syri i Zotit”, e cila ndodhet rreth 650 vite dritë larg Tokës, përcjell rtv21
Imazhi, që ngjan me një sy të ndritshëm në errësirë, tregon shtresat e jashtme të një ylli të ngjashëm me Diellin tonë, të hedhura në hapësirë në fazat e fundit të jetës së tij. Në qendër ndodhet një xhuxh i bardhë mbetja e yllit të vdekur ndërsa përreth shihen re gazi dhe pluhuri me struktura komplekse.
Falë kamerës infra të kuqe të James Webb, shkencëtarët kanë zbuluar detaje të papara më pare, kolona gazi që duken si bishta kometash, të formuara nga përplasja e erërave të nxehta yjore me material më të ftohtë. Ngjyrat tregojnë ndryshime temperature blu në qendër, të verdha më larg dhe të kuqe në skaje, aty ku fillon formimi i pluhurit.
Sipas astronomëve, këto materiale janë elementët bazë për formimin e planetëve dhe jetës. Ato përfaqësojnë një proces kozmik riciklimi, ku vdekja e një ylli krijon kushtet për lindjen e botëve të reja.
Teleskopi James Webb, observatori më i fuqishëm hapësinor i ndërtuar ndonjëherë, u zhvillua nga NASA në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane dhe Kanadeze të Hapësirës. Ai synon të zbulojë jo vetëm fundin e yjeve, por edhe origjinën e universit dhe të jetës./21Media