Tahiri komenton deklarimet e Haxhiut për Llabanin

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka komentuar deklarimet e Ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka kërkuar hetim për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban për dyshim se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë (BIA). Tahiri tha se në vitin 2018 kur në pushtet ishte PDK-ja, në atë kohë LVV-ja nuk ka pasur ndonjë shqetësim për Llabanin, e gjithashtu ka marrë pjesë edhe në votim për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Në një konferencë për media të thirrur nga PDK-ja, Tahiri u pyet për dyshimet mbi gjyqtarin Llaban.

Tahiri theksoi se gjatë vitit 2023, Lëvizja Vetëvendosje ka bashkëpunuar me Listën Serbe për të zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, por jo me opozitën e atëhershme, e në koordinim me kryekriminelin Milan Radojçiq.

“Në atë kohë LVV-ja nuk ka pasur asnjë shqetësim për Llabanin, kanë marrë pjesë në votim dhe me gjasë edhe e kanë votuar. Në vitin 2023 në përgjimet e para e kemi parë angazhimin e LVV-së me Listën Serbe me zgjedhë një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. LVV-ja, asnjëherë nuk e ka ftuar grupin parlamentar të PDK-së me u koordinuar për të zgjedhur gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, e ka ftuar Listën Serbe dhe më kë është koordinuar me Radojçiq”, tha Tahiri.

Të dielën më 10 gusht, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, në një konferencë për media ka thënë se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.

Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vite burgim në Serbi në vitin 2011.

Ndër të tjerash, Haxhiu ka theksuar se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

Back to top button