Tahiri kundërshton heqjen e taksës për mallrat nga Serbia

Tahiri tha taksa nuk do të hiqet derisa të arrihet qëllimi politik i taksës

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u parapa të diskutohet edhe për masën doganore ndaj produkteve serbe dhe boshnjake që kanë hyrë në Kosovë para taksës. Më saktësisht për mallrat që gjenden në depot doganore dhe që presin zhdoganim. Megjithatë u vendos që të shtyhet për në mbledhjen e ardhshme.

Pika e diskutimit ishte shqyrtimi i propozim vendimit lidhur me mallrat që kanë hyrë në territorin e Kosovës, para vendosjes së masës 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja Hercegovina. Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës shpjegoi pse është i nevojshëm të merret vendim për këtë çështje.

“Kanë ekzistu mallra që kanë hy në Kosovë të padoganuara para vendimit të taksës , për këtë arsye mendoj që një vendim i tillë të ndodhë. Qëllimi i taksës nuk ka qenë dëmtimi i sipërmarrsit”, tha Haradinaj.

Ndërkaq ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka kundërshtuar idenë që këtyre mallrave t’i hiqet taksa.

“Çdo prekje e vendimit për taksën është i gabuar dhe duhet të qëndrojmë. Mendoj se po hapim mundësi për keqpërdorime të reja. Ky vendim duhet të rrëzohet me votë dhe jo të largohet nga rendi i ditës. Nuk duhet të tolerojmë asgjë deri sa të arrimë qëllimin politik të taksës”, tha Tahiri.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj kërkoi sqarime lidhur me sasinë e këtyre mallrave.

“Sa është sasia e mallit, ne po votojmë diqka pa ditë, sa është sasia e mallit që ka hy deri në atë datë, ministra e financave të na jap një pasqyrë nuk po dimë qka po votojmë”, tha Limaj.

E ministri i Financave tha se nga ai nuk janë kërkuar të dhëna.

“Vendimet e qeverisë dogana e Kosovës i zbaton deri sa të njejtat nuk binë në kundershtim me ligjin. Pasi që është taksë mbrojtse dhe nuk është vendosur sipas kodit të doganave dhe akcizës. Sa i përket llojit, sasisë, listës së bizneseve nga unë nuk janë kërkuar të dhëna”, tha Hamza.

Besim Beqaj, Ministër i Inovacionit ka kërkuar që të ketë kontroll në mënyrë që depot të mos mbushen prapë.

“Nëse krijohet hapsirë që pas zbrasjës së mallrave të mbushen prap atëher kemi problem.Nëse mallrat kanë qenë aty dhe vërtetohet”, tha Beqaj./kallxo

Back to top button