Tahiri: PDK do të dalë fituese në zgjedhje

(Lajm i përditësuar)
Tahiri: PDK do të dalë fituese në zgjedhje
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri në ”Click” të RTV21 shprehu besimin se partia e tij do të fitojë zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e projekteve zhvillimore për qytetarët. Ai vuri në dukje se fitorja nuk është thjesht politike, por rezultat i një vizioni konkret për zhvillimin e vendit.
“PDK-ja, e them me siguri, do të dalë fituese e këtyre zgjedhjeve. Qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë për projekte zhvillimore. Ne e duam një fitore përmes projektit politik,” tha Tahiri.
Tahiri: Kurti mbulon veprimet kriminale dhe lë në hije angazhimin e disa zyrtarëve
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, ka kritikuar Albin Kurtin për mënyrën se si ka trajtuar raste të dyshimta në veri të Kosovës, duke akuzuar se disa veprime kriminale të zyrtarëve janë lënë pas heshtjes. Ai përmendi rastin e një kompanie që nuk ka pasur licencë për kryerjen e punimeve dhe përfundoi në burg, duke shprehur shqetësim për mbulimin e këtyre rasteve.
“Rasti i Nagip Krasniqit, një kompani që nuk merr licencë për të kryer punë, tregon se ka kryer punime jashtëligjshme. I njëjti përfundoi në burg — rasti i rezervave shtetërore. Kurti, pa dyshim, ka pasur një agjendë tjetër për të mbuluar këto veprime në veri, duke lënë në hije patriotët dhe duke mbrojtur veprimet kriminale të disa njerëzve të tij,” tha Tahiri.
”Njerëz që nuk e dimë nga vijnë”, Tahiri: Dejona Mihali futi “duart në pasuri” të Kosovës
”Rreziku për pasuritë e Kosovës”, Tahiri: Si Dejona Mihali ndikoi në kompanitë shtetërore
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës synon të formojë qeverinë e ardhshme me LDK-në, duke premtuar profesionalizëm dhe transparencë. Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke thënë se gjatë mandatit të Albin Kurtit ka pasur ndërhyrje joformale dhe ndikim të individëve me të kaluar të dyshimtë në kompani publike dhe pasuritë shtetërore.
“PDK-ja do ta formojë qeverinë e ardhshme, besoj me LDK-në, dhe qytetarët do të shohin një profesionalizëm ndryshe. Me PDK-në në qeverisje nuk do të ketë ministra në hije, siç ka pasur në qeverinë Kurti, dhe nuk do të kemi njerëz që nuk e dimë nga vijnë dhe çfarë të kaluar e kanë,” tha Tahiri.
Duke marrë si shembull Dejona Mihalin, Tahiri shtoi:
“E kemi pasur një zonjë që vjen nga Shqipëria, e cila udhëhiqte Korporatën Energjetike. Ajo i tregonte drejtorit të korporatës se kur duhet të shitet energjia elektrike dhe kur duhet të blihet. Ishte një person që i kishte futur duart në kompaninë më të madhe të Kosovës, në pasurinë tonë me thëngjill. E pamë që të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Ibër-Lepenc. Kemi një strukturë kriminale që menaxhon me pasuritë tona, kjo është fakt, nuk e kemi zbuluar ne. Pyetja është pse nuk ka aktakuza për këta njerëz,” tha Tahiri.
Tahiri: Opozita e VV-së do t’i bënte mirë, ka nevojë për reflektim
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Bedri Hamza favorizon krijimin e një qeverie me LDK-në dhe partitë që kanë qenë në opozitë, duke e cilësuar këtë qasje si më të shëndetshme për vendin.
Sipas Tahirit, një kompromis me Lëvizjen Vetëvendosje nuk do t’i sillte dobi Kosovës, ndërsa kalimi i saj në opozitë do të ishte i dobishëm për reflektim pas disa vitesh qeverisjeje.
“Hamza favorizon një qeveri me LDK-në dhe me partitë që kemi qenë në opozitë. Mendoj se kjo është më e mira për vendin tonë dhe sjell një mendësi të re. Një kompromis me Kurtin nuk do të ishte hajër për Kosovën. Besoj se një periudhë e Vetëvendosjes në opozitë, pas këtyre pesë viteve qeverisjeje, do t’i bënte mirë për reflektim,” tha Tahiri.
”Vazhdon avazi i vjetër” Tahiri: Kush i bashkohet Kurtit këndohet kënga e vjetër
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se çdo bashkëpunim i ri politik me të do të prodhonte të njëjtin model qeverisjeje.
Sipas Tahirit, kjo qasje ka sjellë pasoja të rënda për Kosovën, përfshirë sanksione ndërkombëtare dhe humbje të mëdha ekonomike.
“Ne e dimë që kushdo që do t’i bashkohet Kurtit, do të vazhdojë kënga e vjetër, do të vazhdojë avazi i vjetër dhe do të vazhdojë miratimi i ligjeve që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Sot jemi nën sanksione si rezultat i kësaj qeverisjeje. Kosova, gjatë kësaj periudhe, e ka humbur mundësinë për të përfituar rreth 8 miliardë euro, që do të thotë shumë për ekonominë tonë,” tha Tahiri.
Tahiri: Kurti i ka humbur aleancat, pushteti nuk duhet të mbetet në duart e një partie
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Albin Kurti ka humbur çdo mundësi për të ndërtuar aleanca politike brenda Kosovës dhe për të formuar një qeveri të re. Ai theksoi se PDK-ja hyn në zgjedhje me synimin për të fituar, duke mos përjashtuar asnjë parti nga bashkëpunimi, por pa bërë kompromise me programin e saj politik.
“Kurti e ka humbur çdo mundësi për të pasur aleanca brenda Kosovës dhe për të ndërtuar një qeveri të re. Ne, si parti, nuk kemi vija të kuqe për asnjë parti, por nuk bëjmë kompromis me programin tonë. Ne kemi hyrë në këto zgjedhje për t’i fituar dhe për të dalë të parët. Pavarësisht rezultatit, ne gjithmonë e favorizojmë një qeveri me aleatë dhe jam i bindur se do t’i kemi ata, sepse mendojmë se është më e shëndetshme që pushteti të mos jetë në duart e një partie të vetme,” ka deklaruar Tahiri.
Tahiri: Katër vjet betejë në Gjykatë, 12 fitore kundër qeverisë
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se gjatë katër viteve të fundit ka ai qenë një nga figurat më aktive dhe më të përballura politikisht, për shkak të betejave ligjore të zhvilluara kundër qeverisë.
Ai theksoi se ky angazhim është realizuar në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të PDK-së, duke e cilësuar atë si një përpjekje të rëndësishme institucionale për mbrojtjen e rendit kushtetues.
“Unë kam qenë personi më i linçuar dhe më i goditur gjatë këtyre katër viteve, sepse kam zhvilluar beteja me ta në Gjykatë. Këtë angazhim e kam bërë bashkë me Grupin Parlamentar. Gjatë kësaj periudhe kemi dërguar 33 projektligje në Gjykatë, ndërsa deri tani kemi fituar 12 raste, të cilat janë shumë të rëndësishme,” tha Tahiri ndër të tjera.
Tahiri: Përvoja e Hamzës shkon përtej dijes së Kurtit
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka vlerësuar përvojën dhe profesionalizmin e Bedri Hamzës, duke e përshkruar atë si një ekonomiist me një karrierë të gjatë që i jep shtysë projektit politik të partisë.
Sipas Tahirit, angazhimi i Hamzës shkon përtej dijes dhe angazhimit të kryetarit të VV-së, Albin Kurtit, duke e bërë atë një kandidat me eksperiencë të jashtëzakonshme për kryeministër.
“Angazhimi i Hamzës si një profesionist i vërtetë, si një ekonomist nga viti 2008 deri sot, është një përvojë e jashtëzakonshme, përtej asaj dijes dhe angazhimit të Kurtit,” tha Tahiri.
Tahiri: Hamza i vetmi që mund ta sfidojë Kurtin
Tahiri: Edhe ata që dikur e votuan Kurtin më 28 dhjetor do e votojnë Hamzën
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri, në ”Click” të RTV21 ka shprehur përkrahjen e madhe që sipas tij e ka kryetari i PDK-së Bedri Hamza, duke theksuar se ai shihet nga qytetarët si i vetmi që mund ta sfidojë kryeministrin aktual, Albin Kurti. Sipas Tahirit, Hamza po fiton mbështetje edhe nga votuesit që më parë kanë qenë pro Kurtit dhe partive të tjera, ndërsa projekti i tij politik ofron shpresë për të ardhmen e vendit.
“Bazuar në të dhënat që ne i posedojmë, të cilat nuk janë krijuar nga ne, Hamza në sytë e qytetarëve është i vetmi që mund ta sfidojë Kurtin dhe nesër të bëhet Kryeministër i Kosovës. Hamza sot merr mbështetje edhe nga ata që dikur e kanë votuar Kurtin dhe partitë e tjera. Ai ka një projekt të ri politik që sjell shpresë,” tha Tahiri.
Abelard Tahiri tregon pse zgjodhi të rri i fundit në listën e PDK-së
Kandidati i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, Abelard Tahiri në ”Click” të RTV21 tha se ka vendosur vetë të pozicionohet i fundit në listën e partisë.
Ai ka bërë këtë kërkesë drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, me qëllim që t’u krijojë hapësirë dhe mundësi emrave të rinj brenda strukturave të partisë.
“Kam kërkuar vetë që të jem i fundit në listë. I kam kërkuar kryetarit Hamza që të rangohem i fundit, për arsye që t’u lë hapësirë emrave të rinj,” ka deklaruar Tahiri./RTV21/21Media