Tahiri: Prezantimi i buxhetit nëpër komuna, mashtrim i ulët

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se “prezantimi i buxhetit nga kryeministri i vendit, Albin Kurti nëpër komuna, është mashtrim”.
Ai, ka thënë se “ky buxhet është aq sa është reflektuar inflacioni”.
“Buxheti i vitit 2023 është miratuar në Qeveri pa asnjë konsultim paraprak me komunat dhe qytetarët. Prezantimi nëpër komuna është mashtrim i ulët që u bëhet qytetarëve. Në esencë janë tri probleme: E para, në mungesë të rezultateve, Qeveria ka nisur të prezantojë buxhetet edhe të komunave, kur dihet se buxheti komunal është i rregulluar si financim i rregullt, llogaritur 10% e buxhetit të shtetit në grantin e përgjithshëm, ai për arsim dhe shëndetësi; E dyta, se kjo Qeveri edhe po cenon përditë pavarësinë e komunave me akte arbitrare, si ai për grabitjen e të hyrave vetanake, por njëkohësisht paturpësisht po sillet si një organizate humanitare, që këta u dhanë kaq miliona komunave, ndërkaq çdo projekt i madh investiv nga qendra është shkurtuar dhe nuk ka ndodhur asnjë konsultim për to; E treta, nëse Qeveria do donte t’i ndihmonte komunat dhe shërbimet më të mira, nuk do ta hiqte nga agjenda legjislative miratimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku parashiheshin financimi i shërbimeve sociale, por edhe mjetet që po mbaheshin nëpër ministri, ku do të shpenzoheshin në zhvillim. Qeveri, mos bëni lojë numrash me qasjen se ky është buxheti me i madh ‘historik’ sepse është vetëm aq sa është reflektuar inflacioni, asgjë më pak e asgjë më shumë”, ka shkruar Tahiri./21Media

Back to top button