Tahiri: Qeveria Kurti ka thyer rekorde me shkelje kushtetuese

Deputeti i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri në seancën sot në Kuvendin e Kosovës ka përmendur “dështimet” e Qeverisë së Kosovës në krye me Kurtin.
“Kjo qeveri me 22 mars të vitit 2021, ky kryeministër ka sjellur një ekspoze e cila fund e krye ka qenë një ekspoze, panfletë me gjuhë të thatë dhe e cila po vërtetohet që tash katër vite mrapa ka arritur të jetë vetëm një dokument i këtij kabineti qeveritarë, e kryeministrit dhe jo veprim”, tha ai.
Sa i përket tenderave njëburimore, Tahiri nga AAK thotë se gjatë periudhës 22 mars 2021 deri në 1 shtator 2024 qeveria Kurti ka lidhur gjithsej 2 mijë e 123 kontrata me procedure të negocuar.
“Dështimi i dytë ndërlidhet me problemet dhe skandalet më korruptive në histori të Kosovës dhe tendereve njëburimore. Gjatë periudhës 22 mars 2021 deri në 1 shtator 2024, kjo qeveri ka lidhur gjithsej 2 mijë e 123 kontrata me procedure të negocuar, me lidhje të shkurtër. Pa publikim dhe njoftim të kontratës njëburimore”, ka thënë deputeti i AAK.
Sipas Tahirit qeveria ka thyer rekorde me shkelje kushtetuese, sipas tij 9 raste qëllimi ka qenë kapja e shtetit dhe dëmtimin e ekonomisë së lirë.
“Kjo qeveri është qeveria më rekorde e shkeljeve kushtetuse, përgjatë këtij mandati 9 raste janë të konfirmuara në Gjykatën Kushtetuese, si ligje anti kushtetuese të cilat në esencë kanë pasur një qëllim kapjen e shtetit dhe dëmtimin e ekonomisë së lirë”, tha Tahiri. /21Media