Takim pa rezultat konkret në Bruksel

Edhe dje kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan takime të gjata veç e veç, por as këtë herë nuk pati rezulate konkrete për gjetjen e zgjidhjes për uljen e tensioneve në veri dhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit, sepse pala serbe ka vënë kushte. Ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak nuk dha shumë detaje pas takimit, përveç se konfirmoi temat për të cilat është diskutuar. Por, zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi pas takimit se plani i BE-së i shkon përshtati më shumë Serbisë.

‘’Si planë është selektiv dhe i shtron vëmendje kërkesave të Serbisë…”, tha ai.

Opozita e konsideron të dështuar paraqitjen e zëvendëskryeministrit, Bislimi, në procesin e dialogut. Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë se Qeveria nuk ka plan e as strategji konkrete në këtë proces.

“Nuk e kisha komentu Besnik Bislimin se nuk ka qenë stabil në procesin e dialogut dhe ka dështuar…Qeveria nuk ka plan e as strategji në dialog”, tha Beqa.

Në anën tjetër, deputeti i VV-së, Armend Muja, e cilëson opozitën jokonsitente në qëndrimet e saj.

“Herë thojnë është teknik e herë politike dhe nuk kanë një konsistencë opozita…qëndrimet e tyre janë kundër edhe kur Qeveria është për mbrojtjen e kushtetutës….ka tendencë për thika pas shpinës…’’, tha Muja për RTV21.

Deputeti Muja nuk e kurseu nga kritika as BE-në, duke thënë se po e toleron Serbinë.

“Kanë një tolerancë të tepruar ndaj Serbisë… dhe Serbia është shkaktari i problemeve…”, shtoi ai.

Opozita ndërkaq, ia sheh për të madhe si Qeverisë së Kosovës ashtu edhe BE-së për, siç thuhet, uljen e nivelit të dialogut.

“Tash në dialog flasin a me shku në zgjedhje me peticion a pa peticion…për tabelat e veturave…sa përqind të Policisë me i tërheq…mendoj se është rrëzuar niveli i dialogut…”./21Media

Back to top button