“Takimi i kancelarit Scholz me kryeministrin Kurti është i rëndësisë së jashtëzakonshme”

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu sonte në RTV21 deklaroi se vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë është moment shumë i rëndësishëm “duke menduar se në të ardhmen e afërt do të kemi marrëveshje të përgjithshme në raport me Serbinë”.

Analistja politike, Magbule Shkodra në emisionin debatues “Click” u shpreh se takimi i kancelarit Scholz me kryeministrin Kurti është i rëndësisë së jashtëzakonshme.
Ajo tha se jo vetëm kancelari Scholz, por edhe liderë tjerë botërorë të marrin shumë më seriozisht çështjet që janë të hapura dhe si çështje e hapur në Ballkan, theksoi ajo, ka mbetur ajo që Serbia nuk e njeh Kosovën.

Edhe Violeta Haxholli nga KDI tha se vizita e kancelarit gjerman në Kosovë është shumë e rëndësishme.
Ajo në “Click” potencoi se fakti që kancelari Scholz viziton Kosovën dhe Serbinë tregon se fokus i vizitës së tij do të jetë raporti Kosovë-Serbi.

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi deklaroi se vizita e një kryeministri gjerman dhe përfaqësuesi të Bashkimit Evropian shpreh ndoshta jo një rëndësi aq të madhe sa mund të pritet, “kur e dimë që ka divergjenca brenda tyre”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz nesër do ta vizitoj Kosovën. RTV21 ka siguruar agjenden e vizitës së Scholz, i cili pritet të mbrrijë në Prishtinë në orën 09:45 minuta.
Gjatë vizitës në Kosovë Scholz do takohet vetëm me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Pas takimit në  ora 11:30 Kurti dhe Scholz do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Scholz do t’i vizitojë edhe trupat gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Pas Kosovës dhe Serbisë, ai do të udhëtojë drejt Greqisë me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, ku do të bashkohet në mbrëmje me përfaqësues të vendeve të nismës rajonale “Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)”.
Më 11 qershor, kancelari gjerman do të niset për në Maqedoninë e Veriut dhe më pas për në Bullgari, ku edhe do t’i japë fund kësaj vizite në vendet e Ballkanit perëndimor./21Media

Back to top button