Takimi i kryenegociatorëve në Bruksel, nuk ka otimizëm për rezultate

Një ditë përpara takimit në Bruksel, ambasadorët e vendeve të QUINT-it mbajtën takim me kryeministrin Albin Kurti. Qeveria nuk tregoi për temat apo arsyen e këtij takimi i cili vjen në kohën kur faktori ndërkombëtar po vlerëson se nuk është i domosdoshëm nënshkrimi i marrëveshjes, por zbatimi i zotimeve të planit të ri ku bënë pjesë edhe asociacioni.

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti, për RTV21 tha se nuk presin që nesër në Bruksel pala serbe të reflektojë për nënshkrimin e marrëveshjes apo zbatimin e saj.

‘’është e ditur se Serbia ka bërë refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjes. Vetëm nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin. Nuk presim reflektim pozitiv nga pala serbe. Ne jemi të vetëdijshëm se për Serbinë është prioritet asociacioni, por për ne nuk është. Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes së tërësishme garanton një zbatim në praktikë’’., tha Haliti.

Opozita nuk pret të ketë ndonjë rezultat nesër në takimin midis kryenegociatorëve. Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, insiston se kryeministri Kurti do të duhej të raportonte në Kuvend para çdo takimi në Bruksel, për të dhënë detaje se çka është pranuar deri më tash dhe çka do të diskutohet nesër.

‘’ Procesi i dialogut nuk ka aspak transparencë. Jemi mbrapa me zbatimin e marrëveshjeve në të kaluarën. Edhe raporti i progresit e ka thënë këtë. Ne e dimë se Serbia nuk dëshiron ti zbatojë marrëveshjet, por do të duhet që ndërkombëtarët me e bindë që me u pranu edhe nga ana e Serbisë’’, tha Krasniqi për RTV21.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk do të dëshironte që takimi i nesërm në Bruksel të jetë vetëm sa për fotografi.

‘’Ne nuk presim asgjë nga ky takim sepse dialogu është bërë peng për Kosovës. Ne nuk dimë asgjë. Nesër është një takim sa për fotografi kjo nuk do të duhej të ndodhte. Kurti e ka pranuar marrëveshjet, tash i ka ra ndërmend nënshkrimi. Nuk dimë se çka është nënshkrimi’’.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë paralajmëruar se mos zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit do të ketë pasoja politike dhe ekonomike. Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, paralajmëron Qeverinë se çdo vonesë në zbatimin e marrëveshjeve dhe për themelimin e asociacionit do të ketë pasoja për Kosovën.

‘’Do të ketë stagnim në këtë status-quo ku jemi. Nuk do të kemi anëtarësim në asnjë organizatë. Ky stagnim do t’i shkoj në favor vetëm Serbisë. Serbia nuk e ka urgjencë dialogun’’.

Takimi i sotëm midis kryeneociatorëve është i pari që nga pranimi i planit të ri nga kryeministrit Kurti në takimet e 27 tetorit në Bruksel./21Media

Back to top button