Takimi Kurti-Vuçiq, opozita thotë se marrëveshja s’e ka njohjen në qendër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do ta zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim sipas dy partive më të mëdha opozitare PDK-së e LDK-së Kurti me marrëveshjen që pritet të nënshkruhet në Bruksel nuk do të ketë njohje.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, përmes një statusi në Facebook ka thënë se ajo për çka po negocion kryeministri Kurti me presidentin Aleksandar Vuçiq nuk e ka njohjen në qendër.

“Shkurt, nesër do të nënshkruhet një marrëveshje përmes së cilës palët zotohen se do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Një marrëveshje me asociacionin në qendër, e njohjen as në periferi. Një status quo e re. Ky plan nuk ka pikur nga qielli. Ky është produkt i negocimit të kryeministrit”, ka thënë Çitaku

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke komentuar takimin në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq në Bruksel, ka thënë se Kurti sot do ta këtë ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion, ai opozitar, kryeministër e kundërshtues apo pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës.

Haziri ka shkruar në Facebook se nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, atëherë i bie që Kosova po jep gjithçka, për asgjë dhe në këtë mënyrë, Kosova ka me dalë ‘e lënduar’ prej procesit.
“Pyetja se a po kalon ‘Zajednica’ tashmë është evidente në kuadër të planit franko-gjerman, duke e pasur kryeministër politikanin më jokonsistent në qëndrime që ka pasur Kosova. Do ta këtë nesër ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës. A do të mbetet Mister No apo jo, do të provohet për herë të parë nesër”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që Qeveria t’i thotë po përfundimtare propozimit franko-gjerman./21Media

Back to top button