Takimi Osmani–Abdixhiku, diskutohen zhvillimet politike dhe nisma ndërkombëtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.
Abdixhiku njoftoi se gjatë takimit është informuar për iniciativën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për themelimin e Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, si dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.
Ai tha se i ka shprehur Presidentes Osmani mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë, duke theksuar se forcimi i paqes, aleancave, në veçanti me SHBA-të, si dhe rritja e rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jenë përparësi.
Abdixhiku ka theksuar se LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët strategjikë të Kosovës.