Talibanët ua ndalojnë grave të punojnë për OJQ-të

Një urdhër i talebanëve që ndalon gratë të punojnë për organizata joqeveritare është dënuar nga Kombet e Bashkuara, të cilat thanë se kjo shkel të drejtat Themelore të njeriut.
Sundimtarët islamikë e justifikuan masën duke thënë se stafi me gra i OJQ-ve kishte thyer kodet e veshjes duke mos veshur shaminë.
Dekreti vjen vetëm disa ditë pasi studentet femra u ndaluan nga universitetet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinekn kritikoi gjithashtu masën duke thënë se do të ishte “shkatërruese për popullin afgan”.
Punonjëset gra të OJQ-ve afgane që veprojnë si fitueset kryesore në familjen e tyre i thanë BBC-së frikën dhe pafuqinë e tyre.
“Nëse nuk mund të shkoj në punën time, kush mund të mbajë familjen time?”, tha njëra nga gratë.
Një tjetër mbajtëse e familjes e quajti lajmin “tronditës” dhe këmbënguli se ajo kishte respektuar kodin e rreptë të veshjes së talebanëve.
Një grua e tretë vuri në pikëpyetje “moralin islamik” të talebanëve, duke thënë se ajo tani do të luftonte për të paguar faturat dhe për të ushqyer fëmijët e saj.
Urdhri i së shtunës erdhi në një letër nga Ministria e Ekonomisë drejtuar OJQ-ve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo kërcënoi se do t’i anulonte licencën çdo organizate që nuk respektonte urdhërin.
Si shpjegim, thanë se gratë po shkelin ligjin e Sheriatit duke mos mbajtur shaminë.
Masa ka ngjallur zemërim ndërkombëtar, me Blinken që tha se ishte thellësisht i shqetësuar, duke shtuar se “do të prishë ndihmën jetike dhe jetëshpëtuese për miliona”.
“Gratë janë në qendër të operacioneve humanitare në mbarë botën. Ky vendim mund të jetë shkatërrues për popullin afgan” tha Blinken.
Një takim urgjent i Ekipit Humanitar të Vendit ishte planifikuar të dielën për t’iu përgjigjur këtij vendimi.
Një punonjës i Save the Children i tha BBC News se organizata po planifikonte të takohej me autoritetet talebanë, duke thënë se nëse gratë nuk lejohen të punojnë, atëherë disa OJQ do të duhet të mbyllen.
Gjithashtu, ka frikë se gratë afgane mund të mos marrin ndihmë drejtpërdrejt, nëse organizatat lejohen të punësojnë vetëm burra. Rregullat e talebanëve i pengojnë burrat të punojnë me gratë./21Media

Back to top button