Talibanët u bëjnë thirrje grave të bashkohen në qeverinë e re

Talibanët u bëjnë thirrje grave të marrin pjesë në qeverinë e ardhshme të Afganistanit. Kështu ka raportuar agjencia e lajmeve AP.
Një zyrtar taleban u bëri thirrje grave të bashkohen në qeverinë e re. Afganistani sipas talibanëve së shpejti do thirret me emrin e ri zyrtar “Emirati Islamik i Afganistanit” dhe sipas tyre ky emirat “nuk dëshiron që gratë të bëhen viktima”, tha Enamullah Samangani, anëtar i komisionit kulturor të talebanëve, në televizionin shtetëror afgan, i cili kontrollohet nga islamistët.
Ai shtoi se struktura qeveritare nuk është plotësisht e qartë, por bazuar në përvojën, duhet të ketë një udhëheqje plotësisht islamike dhe të gjitha palët duhet të bashkohen”
Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejt dhe të ashpër.
Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi./21Media

Back to top button