Tarifa 100% me efekt ekonomik dhe politik

Krasniqi thotë se efektet pas vendosjes së tarifës janë të mira

Efektet e tarifës 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës po konsiderohen nga Oda e Afarizmit të Kosovës të jenë në rritjen e prodhimit vendor dhe cilësisë së produkteve, si dhe në uljen e importit nga Serbia në masë të madhe, ndërsa nga partitë opozitare thonë se tarifa pati efekt politik dhe ekonomik.

E derisa kryeministri Albin Kurti ka paraparë që prej 15 marsit do të nisë heqja e taksës pjesërisht, njohës të ekonomisë thonë se për më shumë se një vit që kur u vendos tarifa, nuk pati rritje të eksporteve por pati ngritje të çmimeve për produktet e shportës së qytetarëve.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë për kp, se efektet pas vendosjes së tarifës janë të mira dhe janë të mëdha, ndërsa kërkon nga Qeveria që taksa të zëvendësohet me reciprocitet.

Krasniqi thotë se importi nga Serbia ka rënë nga 450 milionë euro në rreth 5 milionë, derisa ka kërkuar nga qeveria e re të ketë një bashkëpunim më të mirë me bizneset.

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala thotë se përpos efekteve politike, tarifa ka shënuar arritje pozitive edhe në ekonominë e vendit.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Shala këmbëngulë se se kjo masë e vendosur nga qeveria e kaluar nuk duhet të hiqet përderisa nuk eliminohen arsyet që kanë detyruar të marrin një masë të tillë.

Sipas tij, qëndrimi i grupit parlamentar të Nismës, është që përderisa nuk eliminohen arsyet, të cilat e kanë detyruar, atëherë Qeverinë e Kosovës të marrë një vendim të tillë, kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi.

Po kështu mendon edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili thotë se tarifa ka efekt edhe ekonomik dhe politik.

Hamza thotë se tarifa është vendosur si rezultat i problemeve të Serbisë me veprimet ndaj Kosovës, për moskërkim falje, për moskompensim të dëmeve të luftës, problemet në tërheqjen e njohjeve dhe pengesat në anëtarësimin në institucionet e ndryshme ndërkombëtare.

E ndryshe mendon eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, i cili thotë se tarifa nuk ka arrit rezultatet në ekonominë e Kosovës, përpos përfitimeve që kanë pasur disa biznesmen të Kosovës, e kanë pësuar qytetarët me ngritje të çmimeve.

Gërxhaliu thotë se është koha që më tepër të punohet në kampanjën vetëdijesuese, të ketë mbështetje të sektorit për marketing dhe prodhim të produkteve vendore dhe jo të jetë një masë e tillë, e cila vërtet Kosovën e ka izoluar, ngufat dhe sot raportet me miqtë ndërkombëtar janë më cenuara se kur do herë.

Pronari i fabrikës për prodhimin e ngjyrave për mure “Re lux”, Ramiz Gashi duke thënë se qeveria duhet të jetë më sy çel, thekson se në këtë periudhë nuk ka parë ndonjë efekt të madh në biznesin e tij, mirëpo nuk përjashton mundësinë të mos kenë pasur ndonjë efekt firmat tjera.

Gashi thotë se kompania e tij ka pasur një rritje të qarkullimit të prodhimit diku deri 30 përqind krahasuar me një vit më parë, mirëpo kjo nuk ka qenë falë taksës, por falë eksportit të vazhdueshëm për në Gjermani.

Ndryshe, në nëntor të vitit 2018, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për vendosjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, fillimisht me 10 përqind, pastaj me 100 përqind. Ndërsa, kryeministri i ri, Albin Kurti me partnerin e tij patën premtuar se do ta heqin taksën pasi të vendosin reciprocitetinm, por kryeministri Kurti të enjten pasdite ka propozuar heqjen e tarifës pjesërisht, ku gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Po ashtu, sipas këtij raporti të kryeministrit, nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button