​Tarifat e Trump, Apple humb rreth 300 miliardë dollarë të vlerës së tregut

Aksionet e Apple ranë gati 9% sot pasi investitorët reaguan ndaj njoftimit të madh të tarifave të presidentit të SHBA-së Donald Trump, ndërkohë që prodhuesi danez i bizhuterive Pandora ka vlerësuar që kostoja totale vjetore e tarifave të jetë 160.66 milionë euro.

Humbjet e Apple janë më të mëdha që nga pandemia e marsit 2020, duke fshirë më shumë se 293 miliardë dollarë në kapitalizimin e tregut në vetëm disa orë, raporton KosovaPress.

Apple, si dhe kompani të tjera të mëdha teknologjike – duke përfshirë Microsoft, Amazon, Google, Tesla dhe Meta – janë prekur sepse prodhojnë shumicën e pajisjeve të tyre në Kinë, Vietnam dhe Indi, dhe tarifat e Trump i bëjnë importet e tyre në SHBA dukshëm më të shtrenjta.

Aksionet e Meta ranë me 8%, Amazon dhe Tesla me 9%, Google me 4%, dhe Microsoft me 3%.

Analisti Angelo Zino i CFRA Research thotë se Apple mund të përpiqet të zbusë goditjen duke përmirësuar efikasitetin në zinxhirin e furnizimit dhe duke ndarë koston me konsumatorët. Por ai paralajmëron se “vështirë se do të jetë në gjendje të kalojë më shumë se një rritje prej 5 deri në 10 për qind të kostove” në fund pa rrezik serioz për të ardhurat.

Prodhuesi danez i bizhuterive Pandora ka vlerësuar ndikimin e mundshëm financiar të tarifave të vendosura nga Donald Trump ndaj kompanisë.

Pandora pret që kostoja totale vjetore e tarifave të jetë rreth 1.2 miliardë korona daneze ose 160.66 milionë euro, përpara se të merren masat zbutëse.

Për vitin 2025, ndikimi i tarifave vlerësohet të jetë rreth 700 milionë krona daneze ose 93.91 milionë euro. Kompania po shqyrton strategji për të zbutur këtë ndikim, duke përfshirë rritjen e çmimeve dhe rregullimet e zinxhirit të furnizimit.

Pandora është veçanërisht e prekur sepse objektet e saj kryesore të prodhimit ndodhen në Tajlandë, e cila është subjekt i tarifave të reja amerikane prej 36%. Përveç kësaj, një pjesë e ndikimit lidhet me mallrat që shpërndahen nëpërmjet SHBA-së në Kanada dhe Amerikën Latine.

Kompania planifikon të zbusë plotësisht këtë pjesë të kostove afërsisht 33.5 milionë euro brenda 12 muajve të ardhshëm.

Pandora gjithashtu pa që aksionet e saj të bien më shumë se 11% në bursat evropiane pas shpalljes së tarifave, duke theksuar më tej seriozitetin e situatës për kompaninë.

Back to top button