Rama: Më duhen edhe 4 vite, Prishtina do të mbetet e gjysmuar, një gërmadhë

(Lajm i përditësuar)
Rama: Më duhen edhe 4 vite, Prishtina do të mbetet e gjysmuar, një gërmadhë
Përparim Rama shpreh shqetësimin e tij mbi projektet që kanë mbetur të papërfunduara si rezultat i bllokadave institucionale. Ai thekson rëndësinë e platformës që lidh Arbërinë me Pallatin e Rinisë dhe nënkalimet që do të përmirësojnë qasjen e qytetarëve në qendër.
“Platrofma që e ndërlidh Arbërinë me Pallatin e Rinisë që është mbetur gjysmë, është projekt që iu lejon 30 mijë banorëve të Arbërisë të kenë qasje të drejtëpërdrejtë në qendër të qytetit. Nënkalimi Agim Ramadani që lidh sheshin me tregun e gjelbërt dhe sheshi “Xhorxh Bush” – projekti i tretë nuk po përparon fare për shkak të bllokadave të tyre. Thonë ‘një anë e rrugës punoje, tjetra jo’. Edhe te Rexhep Luci, njera anë është përfunduar, kurse ana tjetër mbetet si një gërmadhë. Këtë po e them sepse, në rast të ndonjë ndërprerjeje, Prishtina do të mbetet e gjysmuar; më duhen edhe 4 vite për t’i rrumbullaksuar të gjitha.”
Rama thekson se qytetet duhet të ndërtohen për njerëzit dhe jo për makinat, duke kritikuar projektet e papërfunduara dhe keqplanifikuara.
“Të gjithë pajtohen që sheshi “Xhorxh Bush” duhet të jetë për qytetarët e Prishtinës, por duhet të kuptohet që qytetet ndërtohen për njerëzit, jo për makina e beton.”
Rama: Gjëja më e keqe është t’i lësh kryeqytetin dikujt që nuk di
Kryetari aktual i Prishtinës Përparim Rama, në ”Click” të RTV21 kritikon mënyrën se si disa projekte janë ndërprerë nga qeveria dhe ministër të ndryshëm, duke paralajmëruar se vetëm zbatimi i vizionit të tij mund të zhbllokojë trafikun.
“Ne kemi treguar se çfarë e bllokon trafikun – unaza e kryeqytetit. Nënshkrimi i një ministri ka ndërprerë këtë punë. Edhe kundërkandidati thotë se do e bëjë unazën, por kopjon projektet tona, të cilat janë të nevojshme për qytetin. Gjeja më e keqe është t’i lësh kryeqytetin dikujt që nuk di.”
Rama shpjegon se si qeveritë e kaluara kanë penguar projektet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kryeqytetit, duke përmendur edhe hapjen e sheshit dhe Smart City si zgjidhje.
“Qyteti i Prishtinës bllokohet, por nuk zhbllokohet pa hapjen e sheshit Gjorgj Bush, unazës së kryeqytetit dhe Smart City, me monitorimin e hyrjeve në qytet. Që nga tre vite më parë, Qeveria ka premtuar 9.8 milion për zgjidhjen e këtyre problemeve, por deri sot nuk kanë shpenzuar asgjë. Janë bllokues dhe sabotues vetëm me fjalë. Ne do ta pastrojmë kryeqytetin. Para dy vitesh kemi treguar se dimë dhe mundemi të pastrojmë qytetin, madje edhe me ndihmën e sektorit privat për kompaninë ‘Pastrimi’. Ne e kemi pastruar kryeqytetin, ndërsa ata na kanë bllokuar dhe na kanë krijuar borxhe.”, tha Rama.
Rama tregon angazhimin e tij për projekte madhore dhe vizionin për realizimin e tyre, duke kritikuar ministrinë e Kulturës për bllokadën e projektit.
Me theks të veçantë Rama përmendi ndërtimn e sheshit, Adem Jasharit.
“Ne kemi pasur konkursin e parë ndërkombëtar ku propozimet e para që kanë ardhur, 6 ndër më të mirat i kemi pasur në diskutime edhe me familjen e heroit kombëtar, familjen Jashari. Kjo ka qenë arsyeja që kemi vendosur ta rivendosim konkursin ndërkombëtar me një lokacion të saktë për nënkalimin Agim Ramadani, i cili tash është i bllokuar nga Ministria e Kulturës.”, deklaroi Rama.
Rama thekson se çdo premtim i bërë ka rezultuar në veprime konkrete, duke nxjerrë në pah ndryshimet që ka sjellë për qytetin.
“Kemi një vizion të qartë dhe kemi treguar se atë që premtojmë, e realizojmë. Prishtina në çdo cep ka ndryshuar, jo vetëm nga përvoja ime në Londër, por nga çdo përvojë që kam marrë nëpër botë.”
Ai shpreh zhgënjimin për mënyrën se si asambleistët e zgjedhur punojnë për interesa të ngushta partiake, duke lënë anash potencialin e kryeqytetit.
“Jam i dëshpëruar kur kam kuptuar se, për fat të keq, ata asambleistë që janë të zgjedhur nga qytetarët punojnë për çështje të ngushta personale ose partiake dhe lënë anash nevojat dhe potencialin e madh që ka kryeqyteti.”, tha Rama./RTV21/21Media