Të enjten s’do të ketë takim në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se të enjten në Bruksel nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano ka thënë se të enjten në Bruksel do të jenë Kurti e Vuçiq, por do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së.

Stano ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, do të njoftojë në Këshill Evropian liderët për situatën në dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se kjo është çështje shumë me rëndësi për BE-në.

Ai ka thënë se BE-ja pret nga Kosova e Serbia që menjëherë e pa kushte të plotësojnë detyrimet që burojnë nga dialogu. Që të vazhdojnë punën e deeskalimit dhe po ashtu urgjentisht e pa kushte të rifillojnë e të riangazhohen në dialog.

Në takimet e nesërme pritet të diskutohet plani i ri i BE-së, përfshirë draftin “modern” të Asociacionit. Qeveria e Kosovës ka thënë se e kanë pranuar “planin e ri” bashkë me draftin për Asociacion si bazë për diskutime të mëtejshme.

Back to top button