Të hënën takim në Bruksel për dinarin, skadon edhe plani transitor i BQK-së

Të hënën pritet të mbahet takimi i radhës në lidhje me zbatimin e rregullores së BQK-së që e afirmon euron si valutë të vetme për pagesa në Kosovë.
Po në këtë ditë skadon edhe plani 10-pikësh i BQK-së për zbatimin e kësaj rregulloreje që përjashtonte masat ndëshkuese.
Takimin që është paralajmëruar për të hënën, BE-ja e ka paraqitur si trenin e fundit që duhet ta zënë palët për pajtim lidhur me dinarin.
Plani 10-pikësh i Bankës Qendrore të Kosovës për zbatimin e Rregullores për Operacione me Para të Gatshme skadon këtë të diel, meqë të hënën tejkalohen tre muaj që kur ka hyrë në fuqi.
Një nga masat lehtësuese më të rëndësishme sipas këtij plani, është mosaplikimi i gjobave e i masave administrative si ndalimi i importimi i valutave të huaja për subjektet që operojnë me para të gatshme në përputhje me Ligjin për Bankën Qendrore dhe ligjet e tjera në fuqi.
Në të njëjtën kohë për të hënën, është paraparë edhe takimi i radhës për dinarin në Bruksel.
Sipas analistit Visar Xani, edhe takimi i së hënës ka gjasa të përfundojë pa ndonjë marrëveshje, në qoftë se palët nuk tregojnë më shumë vullnet për dakordim sesa në takimet e kaluara.
Herën e kaluar kur pati takim për çështjen e dinarit në Bruksel më 25 prill, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e pati quajtur propozimin e BE-së një përpjekje të mirë për të gjetur zgjidhje, ndërsa delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga Petar Petkoviqi, siç kishte thënë Bislimi, ka paraqitur propozime shqetësuese.
Ndërsa presidenti i Serbisë para dy javësh në një vizitë për punimet e një stadiumi u tha gazetarëve se ndërkombëtarët po insistojnë se Kosova ka të drejtë të vendosë lidhur me dinarin.