Të mërkurën pritet shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i votave me kusht dhe atyre personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi në një konferencë për media tha se të mërkurën pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
“Numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave. Natyrisht se kjo është e ndërlidhur me ecurinë e punëve këtu në QNR, prandaj nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, atëherë KQZ-ja do të mundet që gjatë ditës së mërkurë, 27 tetor, të shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për kryetarë të Komunave”, tha ai.
Nga rezultatet preliminare pritet që 21 komuna të shkojnë në balotazh./21Media