Të rinjtë takojnë kandidatët e AKR-së për deputetë
Pacolli tha se kandidatët e AKR-së janë njerëzit e duhur që do t’i përfaqësojnë qytetarët denjësisht
Në një takim me të rinj, të organizuar nga Forumi Rinor i Aleancës Kosova e Re, kreu i kësaj partie Behgjet Pacolli , ka prezantuar kandidatët e AKR-së për deputetë.
Ai fillimisht iu uroi mirëseardhje të rinjve, duke i përshëndetur të gjithë ata që vazhduan të besojnë në vizionin e AKR-së.
Pacolli shtoi se AKR ka 22 kandidatë, ndërsa përfaqësimi i rinisë është i dukshëm. “Jam i bindur se AKR-ja do të krenohet me mandatin e përfaqësueseve të saj”, ka thënë ai.
Nënkryetarja e AKR-së, Albena Reshitaj , u zotua se do të jetë zëri i rinisë në parlamentin e Kosovës.
Ndërsa me një fjalë rasti të rinjtë i ka përshëndetur edhe Kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, njëherit nënkryetar i AKR-së, Agim Bahtiri, i cili tha se kjo parti do të bëjë ndryshimin më të madh pozitiv në Kosovë.
“AKR garanton një ardhmëri më të mirë për qytetarët e këtij vendi, ne jemi ata që mund ta bëjmë këtë, sepse kemi treguar sukses edhe në të kaluarën. Ju e dini mirë se kush është Behgjet Pacolli. Në këtë shtet të varfër, ne kemi dikë si ai dhe nuk ka dyshim se Behgjet Pacolli duhet të jetë në krye të vendit”, ka thënë Bahtiri./21Media