Teatri Kombëtar mbyllet për rinovim nga korriku

Teatri Kombëtar i Kosovës do t’i nënshtrohet procesit të rinovimit të plotë.
Përmes Facebook-ut, është bërë e ditur se nga 1 korriku teatri do të mbyllet.
“Ashtu edhe siç jeni informuar nga faqja zyrtare e MKRS-së, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës mbyllet për rinovim të tërësishëm nga data 1 korrik 2022. Arsyeja pse ka ardhur deri te kjo kërkesë është gjendja jo e mirë fizike e objektit tash e sa kohë. Këtë e ka vërtetuar edhe raporti i profesorëve të universitetit “Hasan Prishtina” të angazhuar nga MKRS me titull: “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (ToR) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, bëhet e ditur në njoftim.
Sipas njoftimit, gjendja faktike e sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës është alarmante dhe kjo e bën kërkesën për rinovim edhe më urgjente.
“Poashtu, ju njoftojmë se aktiviteti i përgjithshëm artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet. Teatri Kombëtar i Kosovës e ka hartuar edhe planin e punës dhe të veprimit gjatë periudhës së renovimit dhe në bashkëpunim të ngushtë dhe intenziv me MKRS është duke punuar për sigurimin dhe adaptimin e hapësirave alternative ku do ta zhvillojë aktivitetin e vet”, shkruhet më tej në njoftim./21Media

Back to top button