Teatri me hapësirë të kufizuar dhe pak aktorë, nuk i mungojnë shikuesit

Teatri Kombëtar i Kosovës ka përmbyllur vitin me rreth 186 shfaqje, përkundër faktit se për momentin ka vetëm 22 aktorë. 2023-ta nga drejtuesit e këtij teatri po konsiderohet vit i suksesshëm, edhe pse ata po mbajnë shfaqjet e tyre në një vend shumë të kufizuar, në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë.

Edhe pse sipas ligjit duhet të jenë 30 aktorë, teatri për momentin ka vetëm 22. Megjithatë, nga teatri pohojnë se nuk ekziston më debati për mungesën e audiencës në këtë institucion.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kushtrim Sheremeti, vitin 2023 e konsideron si një vit të suksesshëm, pasi kanë realizuar shfaqje të mira dhe me plotë audiencë.

“Kemi pas diku rreth 186 prezantime, shfaqje e aktivitete gjatë vitit që e lamë pas, dhe mund të konsiderojmë që është një vit i suksesshëm, me lajm të mirë që në 95 për qind në aktivitetet tona kemi qenë gjithmonë me “ shpija” plot me audiencë dhe kemi prodhuar shfaqje të mira … 02:42 Në vitin 2022, ka qenë një vit shumë problematik për shkak se për një kohë të gjatë nuk ka pasur prodhim të shfaqjeve, dhe me datën 1 qershor është marrë vendimi për mbyllje të objektit të teatrit, por edhe për shkak të pandemisë”, tha Sheremeti.

Ai thekson se hapësira ku janë duke punuar për momentin është shumë problematike sepse është shumë e kufizuar por janë duke u munduar të prodhojnë shfaqje që i përshtatën amfiteatrit të Pallatit të Rinisë.

“Hapësira është shumë problematike në vendin ku po punojmë, është shumë e kufizuar, nuk është hapësirë e ndërtuar për teatër, por që ne jemi duke u munduar me prodhuar shfaqje që i përshtaten këtij ambienti ,” u shpreh ai.

Një projekt i madh gjatë vitit 2023, për teatrin ishte edhe “The Best Europian Show”, një bashkëpunim me katër teatro evropiane, i cili në prill të vitit 2024, do të vije në Prishtinë. Ai gjithashtu tha për KosovaPress, se edhe disa projekte që do të realizohen gjatë vitit 2024, si “Moisiu”, edicioni i dytë, festivali i cili do të mbahet në Prishtinë prej 20 deri 28 nëntor 2024.

“The Best Europian Show”, ka qenë një projekt i madh evropian, një bashkëprodhim evropian i Teatrit Kombëtar të Kosovës me katër teatro tjera evropiane që ka pasur premierën në Poloni, Itali, gjatë prillit të vitit 2024, do të vijë edhe në Kosovë, ka edhe në Maltë, Slloveni e vende të tjera, dhe për me përfunduar organizimin e edicionit të dytë të festivalit “Moisiu”, që sivjet ka ndodhur në Tiranë, me një bashkëprodhim zyrtar të shfaqjes “Shtëpia e Zotit” me regjin e Ilir Bokshit, një bashkëpunim mes tre teatrove shqiptare, të Kosovës, Tiranës dhe Shkupit, kjo ka qenë edhe si një pilotim për me vazhduar gjatë vitit 2024. Festivali “Moisiu”, do të ndodhë në Prishtinë dhe veçse jemi të angazhuar duke planifikuar gjithçka që do të jetë prej 20 deri në 28 nëntor”, theksoi Sheremeti.

Sipas tij, diskutimi që teatri ka krizë të publikut nuk ekziston, pasi ka qenë gjithmonë më i shituri në Kosovë nga artet e tjera.

“Diskutimi që teatri ka krizë të publikut nuk ekziston, për shkak se edhe statistikisht teatri gjithmonë ka qenë më i shitur në Kosovë, më i shitur se libri, gazeta, më i shitur se çdo koncert ose çdo ekspozitë që mundet me ndodhë, po flas për art”, vijoi ai.

Objekti i Teatrit Kombëtar i cili është mbyllur tash e një vit për renovim, pritet të hapet në vitin 2025./kp

Back to top button