Tejkalim i vlerave të ndotjes së ajrit, IKSHPK kërkon veprime urgjente

Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka ngritur alarm se ndotja e ajrit veçanërisht në kryeqytet po bëhet problem i madh ekonomik dhe shëndetësor.
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv IKSHPK, njofton se bazuar në matjet e realizuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, dhe nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit nga stacionet matëse, ditëve të fundit në Prishtinë ka tejkalim të vlerave të ndotësve të ajrit, me theks të veçantë të PM 10 dhe Pm2.5.
“Kjo situatë shqetësuese do të rëndohet edhe më shumë në ditët e ftohta që do të vijnë dhe nga rënia e temperaturave, që do ta vështirësojnë edhe më shumë ndotjen e ajrit, si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jo-kualitative që po përdorin qytetarët. Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat, sipas shumë të dhënave, na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkite kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtim të jetës dhe rritje të shkallës së mortalitetit. “, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Sipas këtij instituti më të rrezikuarit janë fëmijët gratë shtatzëna, të moshuarit dhe të sëmuret kronik.
“1. Të reduktohen daljet në qytet dhe vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje, veçanërisht personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat; 2. Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave. 3.Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë, të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall. 4. Të reduktohet pirja e duhanit në hapësirat ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht ndalimi i duhanpirjes brenda hapësirave të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve. 5.Urgjentisht të hiqen nga përdorimi veturat e vjetra dhe veturat pa katalizatorë. 6.Përdorimi i transportit publik nga qytetarët. 7.Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.”, apelon IKSHPK-ja
Portali rtv21.tv ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Mjedisit, se cilat se a janë duke ndërmarrë diçka për ta evituar këtë problem, por që ende nuk ka marrë përgjigje./21Media