Tensionet në Ukrainë: Biden pajtohet në parim të takohet me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka rënë dakord “në parim” për të mbajtur një samit me presidentin rus, Vladimir Putin për të diskutuar krizën në Ukrainë.

Bisedimet e propozuara nga Franca do të zhvillohen vetëm nëse Rusia nuk pushton fqinjin e saj, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Takimi mund të ofrojë një zgjidhje të mundshme diplomatike për një nga krizat më të këqija të sigurisë në Evropë në dekada, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se inteligjenca sugjeron se Rusia është gati të nisë një operacion ushtarak, të cilin Moska e mohon.

Propozimi është njoftua nga presidenca franceze pas dy telefonatave mes presidentit Emmanuel Macron dhe Vladimir Putin, të cilat kanë vazhduar për gati tri orë në total.

Shkëmbimi i dytë ka ndodhur në orët e para të së hënës me orën e Moskës dhe ka pasuar një bisedë 15-minutëshe që Macron ka pasur me Biden.

Zyra e Macron ka deklaruar se detajet e samitit të mundshëm do të diskutoheshin gjatë një takimi midis Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov të enjten.

Në një deklaratë që ka konfirmuar propozimin, Shtëpia e Bardhë ka thënë gjithashtu se Rusia duket se po “vazhdonte përgatitjet për një sulm të plotë ndaj Ukrainës shumë shpejt” dhe se SHBA ishte gati të impononte “pasoja të shpejta dhe të rënda” nëse kjo ndodh.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, sipas vlerësimeve të ShBA-së./21Media

Back to top button