Tërheqja e 30% nga Trusti, Balje thotë se do të votojë “pro”

Deputetja, Duda Balje deklaroni se do të votojë sërish pro tërheqjes së mjeteve financiare nga Trusti për qytetarët, derisa shton se duhet përkrahje më e madhe nga të gjithë, pasi sipas saj qytetarët e kanë parë të nevojshme duke nënshkruar në peticion.
Balje tha se herën e parë deputetët kanë qenë kundër kësaj mase me arsyetimin se nuk është në të mirën e qytetarëve, porse tash siç thotë ai qytetarët kanë vendosur për vetën e tyre dhe duhet të përkrahet më shumë.
“Unë kam përkrahur edhe herën e parë votimin e Trustit, do e përkrah edhe tash, por tash shumë më shumë sepse herën e parë shumica e deputetëve, të cilët nuk kanë votuar për Trustin, kanë pas një arsyetim që nuk është në të mirë të qytetarëve, është mirë të kursehet për pleqëri dhe arsyeje të tjera. Por, tash Trusti ka ardhur në Kuvend në mënyra të ndryshme, me peticion dhe nënshkrime të qytetarëve, me të cilët ata kanë dhënë shenjë se ata duan. A është apo nuk është mirë, kanë vendosur ata për vete, dhe unë dua ta përkrah edhe më shumë dhe do të votoj “pro”, theksoi Balje.
Mes tjerash, ajo tha se edhe shumica e deputeteve të grupit parlamentar multietnik do të votojnë pro tërheqjes se Trustit. Derisa ka deklaruar se qytetarët kanë kaluar kohë të vështirë nga inflacioni dhe me nënshkrime kanë vërtetuar nevojën që kanë për atë shumë të parave.
“Kam edhe deputetë prej grupit parlamentar multietnik në të cilin unë jam pjesë, dhe jam në dijeni se shumica prej këtij grupi do të votojë për Trustin… Kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë dhe tash është dimër, dhe në fakt ata vetë kanë vendosur me nënshkrime, dhe kjo është shenjë se ata po duan, kanë nevojë shumë për shkak të inflacionit dhe komplet gjendja financiare të shtetit”, shton Balje.
Edhe qytetarët vlerësojnë se votimi i 30 përqindëshit të Trustit do t’u ndihmonte sado pak në këtë kohë krize, pasi xhepat e tyre janë zmbrapsur për shkak të inflacionit. Ata kërkojnë nga deputetët që ta votojnë këtë masë, ndryshe sipas tyre qeveria po e mohon të drejtën e qytetarëve.
Syl Arifi, emigrant politik në Zvicër është shprehur pro tërheqjes së një pjesë të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti). Sipas tij kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk po i mban premtimet e dhëna karshi qytetarëve.
“Jam pro që të votohet, dhe sa më shpejtë që mundën të ofrojnë mundësinë me pas pare populli që të mos ketë nevojë për askënd, pra ta nxjerrë kontributin e vet kur të dëshiron…Ftoj edhe qeverinë, Albin Kurtin ta zbut zemrën dhe t’i flet këtij populli që ja ka dhënë votën dhe t’i plotësojë premtimet që ia ka bërë popullit… sepse përndryshe nuk është duke shkuar në vijë siç ka premtuar”, tha Arifi.
Bajram Kastrati, qytetar, tha se nuk po arrin t’i mbulojë shpenzimet me pensionin që ka, sipas tij është më së e nevojshme që kjo masë të votohet në Kuvend.
“Askund në botë nuk ndalet parja e personit, pse mos të lejohet. Ka dhënë kontribut disa vite dhe mos me ia dhënë paratë e veta është anomali e shekullit e që ndodhë vetëm te ne… Ka familje sot që nuk i ka dy metra dru në shtëpi, unë i kam pension 100 euro, 5 kg miell i kam në shtëpi dhe çfarë të bëj me 100 euro, unë i sëmurë, bashkëshortja njëjtë, e zbut situatën, kanë njerëzit nevojë për lek”, tha Kastrati.
Edhe qytetari Sabri Rexha konsideron se tërheqja e 30 për qindëshit nga Trusti, do ju ndihmonte për ta tejkaluar krizën me inflacion.
“Duhet të votohet dhe më pengon qasja e qeveritareve kur po thonë fond pensionale, për mendimin tim nuk ka fare lidhje me fondin pensionale, është fond që i ndal paratë tonat, mendoj se në këtë krizë është dashtë”, tha Rexha.
Qytetari Ilaz Shala ka kërkuar nga deputet po ashtu që ta votojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
“Jam pro… Sado pak kishte me dhënë impuls ekonomisë, besoj se kish me qenë mirë sidomos për familjet e varfra… Mendoj se është neglizhencë e qeverisë t’ia mohojë të drejtën e popullatës”, tha Shala.
Tërheqja e një pjesë të kursimeve pensionale të qytetarëve nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) do të shqyrtohet sërish në Kuvendin e Kosovës ditën e enjte si pikë e parë e rendit të ditës. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që ka caktuar dy seanca për këtë javë. Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar, vijon ta kundërshtojë këtë iniciativë.
Kujtojmë se para disa muajve organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura. Ata janë shprehur me shpresë që Kuvendi do ta votojë projektligjin./kp

Back to top button