“Tërheqja e Listës Serbe erdhi si shkak i bindjes së dështimit”

Katër anëtarë të Komisioneve Komunale Zgjedhore nga Lista Serbe u dorëhiqen të hënën nga këto poste në katër komunat në veri të Kosovës. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ndërkaq sipas njohësve të Kushtetutës tërheqja e tyre erdhi si shkak i bindjes së dështimit.

Dy javë para datës së votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të Kosovës, Lista Serbe, ndryshoi qëndrim. Kjo parti serbe ka vendosur që të mos marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve. Ndërkaq një ditë pas këtij njoftimi, katër anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje.

“Kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emrimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare”, tha Elezi për rtv21.

Sipas njohësit të kushtetutës, Mazullum Baraliu, ky veprim i Listës Serbe është një akt që tregon zbehjen e ndikimit të këtij subjekti tek qytetarët serbë.

“Lista serbe është i dirigjuar nga Beogradi dhe po vazhdojnë të bëjnë lojën e djallit, lojën politike. Tash në masë të konsideruar e kanë humb besimin, sidomos pas 24 shtatorit. Kjo listë tashmë po sheh që po i ik dheu nën këmbë, po i zvogëlohet ndikimi dhe popullatiteti në komunitetin e vet po mundohet të nxjerr pak minimum pak ftyrë sepse është bindur se nuk do të mund të arrij 50 plus një përqind të votave”, tha Baraliu.

Me këtë procedurë të cilët e ka zgjedhur lista serbe, sipas udhëzimit administrativ të pushtetit lokal, nuk mund të shkarkohen kryetarët aktual.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të shkarkohen. Pasi që këta po i bojkotojnë. Sipas udhëzimit administrativ kryetarët aktual kanë drejtë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe për një vit. Pas një viti ka drejtë një grup tjetër qytetar të organizoj një peticion”, tha Baraliu për rtv21.

Sipas ekspertëve të sigurisë lista serbe po tenton destabilizimin e vendit, pavarësisht situatës aktuale, të cilën njohësi i sigurisë, Arben Dashefci, e cilësoi si të qetë.

KQZ-ja vendosi që votimi të mbahet më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës./21Media

Back to top button