Tërhiqet qeveria shqiptare, s’ka mbledhje të përbashkët

Qeveria shqiptare është tërhequr. Sot nuk do të ketë mbledhje të përbashkët Shqipëri- Kosovë, e paraparë të mbahej në Gjakovë ku ishte planifikuar nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh mes dy palëve. Ky vendim vjen si një përgjigje ndaj qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti në raport me partneret strategjik ndërkombëtar, për situatën e krijuar në veri si dhe për çështjen e themelimit të asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Rama tha se ka kërkuar një format tjetër takimi me Kurtin.
“E kam informuar Kurtin se duke marrë parasysh kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlanatike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuara. Dhe pasi kam folur me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Kurtit për t’u takuar nesër në Gjakovë me ministrat e Jashtëm dhe Mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, për ta afruar Kosovën me bashkësinë euroatlantike, ku marrëdhëniet e tyre janë në një pikë të paimagjinueshme, ku këta të fundit po konsiderojnë sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë. Nuk kemi pasur dakordim me Kurtin për ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, e të diskutojmë veçmas për këtë. Por kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase, nuk është një përgjigje përfundimtare nga Kurti. Unë shpresoj që mund të takohemi për të ballafaquar opinionet, në kushtet kur jemi në prag të planit për sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka informacione për anulimin e mbledhjes mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, e planifikuar për të mërkurën e 14 qershorit në Gjakovë.
“Unë posa mbrriva këtu dhe nuk kam informacion, po shkoj ta ndjekë koncertin dhe mendoj që mbledhjet Shqipëri-Kosovë nuk duhej të anuloheshin nga askush”, ka deklaruar Kurti në një prononcim për media.
Pas kësaj Qeveria e Kosovës doli me reagim.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për RTV21 tha se takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”, ka thënë Kryeziu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë për media, ka thënë se i ka propozuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një takim në një format më të ngushtë, ku do të merrnin pjesë edhe ministrat e jashtëm dhe ata të brendshëm, porse Kurti ka refuzuar./21Media