“Termokos” fillon matjen në bazë të konsumit

Kryesuesi i bordit të drejtorëve të NP “Termokos”, Visar Vokrri me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Fisnik Osmani kanë zhvilluar një takim me bordin e ZRRE-së, të kryesuar nga Ymer Fejzullahu, për të diskutuar modalitetet për fillimin e fazës testuese për metodën e re të faturimit sipas konsumit.

Sipas një komunikate, në këtë takim janë shqyrtuar rekomandimet e ekspertëve dhe mbikëqyrësve të pavarur sa i përket kalimit nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit.

“Instalimi i njehsorëve, alokatorëve të ngrohjes, termokokave dhe valvolave balancuese tek 15 mijë konsumatorë të ndërmarrjes, në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save” i ka hapur rrugë transformimit të metodës së faturimit. Bazuar në rekomandimet e ekspertëve, ju informojmë se sezona ngrohëse 2023/2024 do të jetë fazë testuese e metodës së faturimit sipas konsumit. Kjo fazë do t’u mundësojë NP “Termokos” dhe ZRRE-së, që të realizojnë të gjitha analizat teknike, financiare dhe softuerike për të mundësuar një tranzicion sa më të sigurtë në metodën e re të faturimit. Ndërkohë, kjo fazë testuese do të shoqërohet edhe me një fushatë vetëdijësimi dhe informimi për mënyrat e përdorimit të pajisjeve të instaluara dhe mundësinë e kontrollimit të shpenzimeve të tyre për ngrohje. NP “Termokos” apelon tek të gjithë konsumatorët për bashkëpunim të ngushtë, që duke përcjellë rekomandimet për përdorimin e këtyre pajisjeve të fillojnë kontrollimin e shpenzimeve të tyre për ngrohje, gjë që do të ndihmojë realizimin e plotë të kësaj faze testuese dhe kalimin nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit”, thuhet në komunikatë.

Back to top button