Testimet rapide për Covid-19 vazhdojnë në Prishtinë

Komuna e Prishtinës do të vazhdojë me realizimin e testeve rapide për COVID – 19, nga data 20 gusht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Emshir.
Orari i punës do të jetë 7 ditë në javë, nga ora 08:00-15:30.
“Njëkohësisht ju bëjmë thirrje për vaksinim dhe për respektimin e masave mbrojtëse nga sëmundja COVID – 19”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të mërkurën se janë regjistruar edhe katër viktima nga koronavirusi i ri.
Bazuar në 10.258 mostra të testuara, pozitivë në koronavirus kanë dalë 2.110 persona.
Aktualisht raste aktive në Kosovë janë 12.159. Sipas njoftimi, në 24 orëshin paraprak janë shëruar edhe 130 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 106.408.
Kosova e ka nisur procesin e imunizimit në muajin mars. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës, janë dhënë 622.068 doza të vaksinës.
Deri më 18 gusht 215.329 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./21Media

Back to top button