Testimi i rrugëve në kryeqytet, qytetarët ia mësynë autobusëve

Komuna e Prishtinës edhe fundjavën e kaluar testoi rrugët e kryeqytetit.
Të shtunën dhe të dielën e 21 dhe 22 majit vazhdoi testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. Por, si e vlerëson Komuna e Prishtinës testimin dhe a pritet ndonjë ndryshim konkret, zyrtarë të kësaj komune nuk janë përgjigjur për portalin rtv21.tv.
E gjatë dy ditëve të fundjavës, transporti me trafikun urban në Prishtinë ishte falas për të gjithë qytetarët.
Gjatë kësaj periudhe u vërejt interesim i qytetarëve për të udhëtuar me autobusë nëpër rrugët e kryeqytetit.
“Trafiku Urban” për portalit rtv21.tv ka konfirmuar se interesimi i qytetarëve ka qenë i lartë për shfrytëzimin e autobusëve në krahasim me fundjavët e tjera dhe gjithashtu në linja ishin angazhuar të gjithë autobusët edhe pse ka qenë fundjavë.
“Qarkorja një kahore dhe caktimi i shiritit të veçantë për autobus ka ndikuar që autobusët të lëvizin më shpejtë dhe koha e pritjes të jete më e shkurtër, andaj qytetarët e kanë shfrytëzuar më shumë përdorimin e autobusëve të Trafikut Urban. Në përdorimin e autobusëve ka ndikuar shumë edhe lirimi i qytetarëve nga pagesa”, thuhet në përgjigjen e “Trafikut Urban” për portalin rtv21.tv.
Flota e autobusëve është e përbërë prej 51 autobusëve dhe 7 linjave, por sipas “Trafikut Urban” rritja e dendësisë së banorëve dhe shtimi i numrit të bizneseve ndikon për rritjen e nevojës së shtimit të numrit të autobusëve dhe linjave.
Autobusët e Trafikut Urban fillojnë punën në linja nga ora 06.00 deri në ora 22.00./21Media

Back to top button