Tetë persona të vdekur, mbi 30 të lënduar pas një shpërthimi në Havana

Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe më shumë se 30 janë lënduar pas një shpërthimi që ka ndodhur në një nga hotelet më ekskluzive të Kubës.

Shpërthimi në hotelin Saratoga në Havanën e Vjetër të premten duket se është shkaktuar nga një rrjedhje gazi, sipas zyrtarëve lokalë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar për të gjetur njerëzit e bllokuar nën rrënoja.

Të plagosurit janë duke u trajtuar në spitalet e afërta.

Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel ka vizituar vendin e shpërthimit, i cili ndodhet përballë ndërtesës së vjetër të kongresit të qeverisë. “Nuk ishte një bombë apo sulm, është një aksident fatkeq”, ka deklaruar ai, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Incidenti ka ndodhur teksa turizmi në vend ishte duke u rikthyer nga dy vjet të vështira të shkaktuara nga pandemia Covid-19.

Hoteli Saratoga ka qenë i mbyllur për rinovim gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe./21Media

Back to top button