Thaçi: Bashkëpunimi me diasporën të orientohet kah zhvillimi

Sipas Thaçit, puna e të gjithëve tani duhet të përqendrohet në zhvillimin ekonomik të shtetit tonë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik të Diasporës Shqiptare në Prishtinë.

Thaçi e ka quajtur këtë një iniciativë shembullore dhe ka thënë se puna e të gjithëve tani duhet të përqendrohet në zhvillimin ekonomik të shtetit tonë.

“Diaspora, gjatë tërë historisë, ka qenë një nga faktorët kryesorë në çdo zhvillim në Kosovë. Falë kontributit të shumanshëm të diasporës, populli i Kosovës arriti të mbajë gjallë organizimin dhe solidaritetin shoqëror”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se në shkurt të vitit të ardhshëm e shënojmë dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe Kosova më nuk është në fazën e mbijetesës apo të rindërtimit, por është shtet në zhvillim.

Në hapjen e Forumit Ekonomik të Diasporës Shqiptare, kreu i shtetit ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë më 2008 është ruajtur trendi pozitiv i rritjes ekonomike.

Si rezultat i reformave ekonomike, presidenti Thaçi ka thënë se janë edhe nënshkrimi i MSA-së dhe pranimi i Kosovës në programin e Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit.

Ai ka shtuar se Kosova është zhvilluar dhe ka ndryshuar shumë, porse diçka ka mbetur pa ndryshuar.

Ky është fakti që sa herë jemi bërë bashkë, sipas presidentit Thaçi, kemi realizuar çdo ëndërr dhe çdo dëshirë.

Prandaj është i vlefshëm ky forum, ka thënë ai, sepse po bëhen bashkë të gjithë afaristët për të punuar dhe për ta zhvilluar Kosovën.

Forumi Ekonomik i Diasporës Shqiptare është organizuar nga USAID-i në partneritet me Rrjetin Afarist të Diasporës Shqiptare./21Media

Back to top button