Thaçi bëri homazhe pranë varrit të McCain

Thaçi: McCain mbështetës i palëkundur i pavarësisë së Kosovës

Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Presidenti i Kosovës ka bërë homazhe pranë varrit të senatorit, John McCain në varrezat e “United States Naval Academy Cemetery” në Annapolis.

Thaçi tha se këto homazhe i bëri edhe në emër të popullit të Kosovës, duke kujtuar se McCain ka qenë një prej mbështetësve kryesor të lirisë së Kosovës.

“Në dy dekadat e fundit, sa herë që kam ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam takuar gjithmonë senatorin, John McCain. Edhe pse ai nuk është në mesin tonë, qytetarët e Kosovës, senatorin McCain do ta kujtojnë përgjithmonë si një nga mbështetësit e palëkundur të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në varrezat e “United States Naval Academy Cemetery” në Annapolis, bëra nderime te varri i tij, për të shprehur respektin e popullit të Kosovës për kontributin që ka dhënë për sigurimin e paqes në botë dhe përkushtimin ndaj vendit tonë. Lavdi të gjithë veteranëve amerikanë, që jetën e tyre e vunë në shërbim të atdheut dhe vlerave perëndimore.”, tha Thaçi.

Senatori republikan amerikan, John McCain vdiq në moshën 81 vjeçare në gusht të këtij viti. McCain ishte kandidat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2008./21Media

Back to top button