Thaçi e Haradinaj bënë homazhe në Prekaz

Haradinaj vizitën e ka vazhduar tek kulla e Jasharajve, por pa presidentin

Në 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe gjithë kabineti qeveritar kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me këtë rast tha se kanë shkuar në Prekaz të nderojnë sakrificën sublime të familjes Jashari, e cila është edhe bazamenti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Për të bërë nderimet shtetërore komandantit legjendar dhe bashkëluftëtarit tonë, Adem Jashari dhe familjes së tij për sakrificën sublime që është bazament i lirisë dhe pavarësisë por  edhe të ardhmen euroatlantike të shtetit të Kosovës. Nderime respekt për përjetshëm komandantit legjendar, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të kombit”,ka thënë kreu i shtetit.

Kryeministri Haradinaj më pas vizitën e tij e ka vazhduar edhe tek kulla e Jasharajve, por pa presidentin Thaçi.

Pas vizitës në Prekaz, kreu i shtetit ka bërë homazhe edhe tek varri i veprimtarit, Adem Demaçi.

Kosova është shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjatë një seance solemne, ku deklaratën e pavarësisë e ka lexuar ish-kryeministri, Hashim Thaçi. Deklarata e Pavarësisë është miratua nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës, ku kanë munguar vetëm deputetët e komunitet serb.

Back to top button