Thaçi flet për gazetën gjermane FAZ: E shoh garën politike pas vetes

(Lajm i përditësuar)


A e këshillon Thaçi PDK-në për bashkëpunim me VV-në?

Ish-presidenti Hashim Thaçi është pyetur edhe nëse do ta këshillonte ish-partinë e tij, Partinë Demokratike të Kosovës, për bashkëpunim me Vetëvendosjen.

Pyetja i ishte shtruar gjatë vitit të shkuar nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kur Kosova u përball me krizën politike në Kuvend.

“Prioriteti im është procesi ligjor që po kaloj. Megjithatë, ajo që mund të them është se në Kosovë të gjithë duhet t’i vendosin interesat e qytetarëve mbi interesat partiake”, ka thënë Thaçi nga Haga, ku po pret vendimin e Gjykatës Speciale mbi akuzën për krime lufte.


Thaçi flet për gazetën gjermane FAZ: E shoh garën politike pas vetes

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë me shkrim për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Ai ka folur për përvojën e tij gjatë paraburgimit, procesin gjyqësor dhe të ardhmen politike. Thaçi ndodhet në vitin e gjashtë të paraburgimit në Hagë derisa është në pritje të vendimit përfundimtar.

Duke folur për jetën e tij politike, Thaçi deklaroi se nuk e sheh veten më në garën politike, por jo edhe tërësisht jashtë jetës publike.

“E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej vendit”, u shpreh ai.

Thaçi foli edhe për humbjen e babait të tij, duke e cilësuar si një dhimbje të madhe faktin që nuk mundi të marrë pjesë në varrim.

“Ky është një dhimbje që do ta mbaj me vete gjithë jetën”, tha ai.


Thaçi pyetet për shkëmbimin e territoreve: Qëllimi ishte paqja e qëndrueshme

Ish-presidenti Hashim Thaçi i pyetur për të shpjeguar propozimin për shkëmbim territoresh me Serbinë si zgjidhje finale, ka thënë se qëllimi i tij ka qenë sigurimi i paqes së qëndrueshme.

Në intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nga Gjykata Speciale, Thaçi është pyetur nëse kjo ide është diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, apo se a ka qenë propozim që Kosova të japë diçka për të marrë Luginën e Preshevës apo edhe për të dhënë territor në këmbim të njohjes.

“Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen probleme të pazgjidhura për brezat e ardhshëm”, ka thënë ai.


Thaçi flet për FAZ-in: Serbia na sulmoi, populli i Kosovës rezistoi

Në intervistën për gazetën prestigjioze gjermane, me pyetjet që ishin dërguar sipas gazetës verën e vitit të shkuar dhe ishin kthyer në fundvit, Thaçi është pyetur nëse gjykimi ndaj tij mund ta ndryshojë perceptimin e historisë për Kosovën.

“‘Provat e fabrikuara gjatë epokës së Millosheviqit nuk duhet të përdoren në gjykatë. Nëse pranohen, nuk do të ishte çudi që pretendime të ngjashme të përdoren edhe në konflikte të tjera. Kosova nuk ka sulmuar kurrë territor serb. Populli i Kosovës luftoi për të drejtën për të ekzistuar. Ky proces nuk duhet të përdoret për të rishkruar historinë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do të mund të shpallej fajtor a do të nënkuptonte kjo se NATO-ja ka bashkëpunuar me kriminel lufte, Thaçi ka përsëritur se “ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u mbështet në vlerat e lirisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”

“NATO erdhi në ndihmën tonë sepse e kuptoi çfarë po kalonim nën Millosheviqin. Në Rambuje, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën dhe spastrimin etnik. Serbia sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës bëri rezistencë. Pa këtë rezistencë dhe ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot”, ka thënë ai.


Thaçi: Më vjen keq që Albright, Holbrooke e Dole s’janë më me ne, do të ishin dëshmitarë të jashtëzakonshëm në Speciale

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën për FAZ, ka komentuar ndërhyrjen e NATO’s, duke thënë se kjo e fundit e kuptoi se çfarë po kalonte populli i Kosovës në Millosheviqin.

Thaçi, shprehje keqardhje për vdekjen e ish-sekretares së Shtetit të SHBA’ve, Madeleine Albright, Ambasadorit Richard Holbrooke, dhe Senatorit Robert Dole, duke thënë se këta do të ishin dëshmitarë të jashtëzakonshëm në Gjykatën Speciale.

‘‘Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u udhëhoq nga vlerat thelbësore perëndimore të lirisë, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së jetës njerëzore. NATO na erdhi në ndihmë sepse kuptoi se kush ishim, çfarë përfaqësonim dhe çfarë po kalonim nën Millosheviqin. Ata e panë gjendjen tonë të vështirë. Në konferencën ndërkombëtare në Rambuje të Francës, në vitin 1999, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën, shtypjen dhe spastrimin etnik. Vendimi ynë pasqyroi angazhimin tonë për dialog, parimet e përbashkëta demokratike dhe bashkëjetesën paqësore. Më vjen shumë keq që Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, Ambasadori Richard Holbrooke, Senatori Robert Dole dhe të tjerë nuk janë më me ne – ata do të kishin qenë dëshmitarë të jashtëzakonshëm para kësaj gjykate. Ata e kuptuan si kontekstin ashtu edhe veprimet dhe qëllimet e popullit kosovar, si dhe vendosmërinë e Millosheviqit për të kryer spastrim etnik dhe gjenocid. Serbia sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës rezistoi. Pa rezistencën e popullsisë kosovare dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot. Kosovarët shqiptarë nuk do të ekzistonin. Populli i Kosovës bëri atë që çdo popullsi e shtypur gjatë historisë ka bërë — dhe do të bënte — kur u përball me një kërcënim ekzistencial nga diktatorë si Slobodan Millosheviq’’, ka thënë ai për FAZ.


Thaçi jep intervistë nga burgu për gazetën gjermane FAZ, Martens ndan temat që kanë diskutuar
Gazetari i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, tha se ka intervistuar ish-presidentin Hashim Thaçi, nga paraburgimi në Hagë.

Martens tha se intervista do të publikohet sonte, por zbuloi disa prej temave që ka ngritur me ish-presidentin.

“Kur NATO bombardoi Serbinë në vitin 1999, a bashkëpunoi ajo me një kriminel lufte shqiptar të Kosovës për të mposhtur kriminelin serb të luftës, Slobodan Millosheviqin? Kjo ishte një nga pyetjet kryesore që udhëhoqi në intervistën time me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, e cila do të publikohet sonte”, ka shkruar Martens në X.

Martens vuri në pah edhe “argumentin qendror” të ekipit mbrojtës, i cili thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një zinxhir të duhur komandues, që do të thotë, shkruan Martens, se i pandehuri nuk mund të mbahet përgjegjës për krimet e kryera në terren.

Martens tha se intervista në faqen online të gazetës publikohet sonte, ndërsa në gazetën e shtypur do të jetë në numrin e nesërm.

Back to top button