Thaçi: Haradinaj ka konfirmuar se i ka votat për formimin e Qeverisë

Thaçi ka thënë se ka konfirmimin se Qeveria do të formohet pa vonesa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ka marrë konfirmimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve (koalicioni PAN) dhe mandatari për kryeministër (Ramush Haradinaj) se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të formohet pa vonesa.

Ai në një intervistë për Evropa e Lirë deklaroi se “çështja e mandatit nuk është çështje e preferencës, por e respektimit të legjitimitetit qytetar”.

“Kosova e ka koalicionin fitues që ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit. Unë do të respektoj Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, prandaj kam konfirmimin edhe nga mandatari i koalicionit fitues se ka siguruar numrat e mjaftueshëm të deputetëve për themelimin e Qeverisë së re”, tha Thaçi.

Ai tha se është duke pritur përmbylljen e procesit të certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe më pastaj të ulet me spektrin politik dhe bashkërisht të caktohet data e konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të Qeverisë së re.

Sa i përket mundësisë që mandatari i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj të dështojë të sigurojë votat për formimin e Qeverisë dhe mundësisë që Thaçi më pas t’ia jap mandatin kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, presidenti Thaçi tha se nuk mund t’i parashikojë as paragjykojë zhvillimet e ardhshme.

“Nuk dëshiroj të prejudikoj. Nga mandatari (Ramush Haradinaj) e kam konfirmimin se i ka siguruar votat. Në çdo rrethanë mendoj se duhet të ndodhë një dialog mes spektrit politik si të veprohet tutje. Unë do të ndërmarr vetëm veprime ligjore, kushtetuese pa ndikime politike”, tha Thaçi.

Ai shprehu besimin se nuk do të ketë mandatar të dytë dhe Qeveria do të formohet që në përpjekjen e parë.

Sa i përket rolit të pakicave rreth formimit të Qeverisë, Presidenti i Kosovës tha se përfshirja e komuniteteve pakicë nuk duhet të shihet si pengesë, por si vlerë.

Back to top button