Thaçi i LVV-së: Glauk Konjufca e meriton të jetë kryetar i Kuvendit

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Halil Thaçi, në një intervistë për rtv21 ka thënë se më 15 prill në seancën konstituive të Kuvendit Glauk Konjufca do të jetë kryetar i këtij institucioni. Ai ka thënë se ky nuk është vendim i partisë por kërkesa e tij. Deputeti Haliti ka thënë se nuk ka informacione për takimin Kurti-Limaj apo për ndarjen e posteve.
“Sigurisht që Glauk Konjufca do të jetë kryetar i Kuvendit, do të vazhdojë detyrën e tij që mendoj se e ka kryer me përgjegjësi shumë të madhe duke qenë profesionist si kryeparlamentar. Ky është mendimi im personal, por mbetet të shihet. Këtë mendim timin do ta dërgoj çdo kund dhe mendoj se Galuk Konjufca e meriton të jetë kryetar i Kuvendit. Nuk kam informata të tilla për një takim Kurti-Limaj”., tha ai.
Deputeti Thaçi i është bashkuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti se Serbia përmes ndikimit të saj tek deputetët e minoriteteve jo serbe po e pengon formimin e institucioneve të reja. Por, sipas deputetit Thaçi, pavarësisht kësaj LVV-ja i ka votat e nevojshme që më 15 prill të zgjedhet kryetari i Kuvendit dhe të formohet Qeveria e re.
“Ka sinjale serioze për këtë cështje . Serbia i ka penguar formimin e institucioneve të Kosovës. Por, unë vlerësoj dhe shpresoj që më 15 prill do të krijohet Qeveria dhe institucionet e Kosovës”, tha tutje Thaçi.
Deputeti Thaçi ka përjashtuar çdo mundësi për bashkëpunim me Listës Serbe për formimin e Qeverisë së re. Ai iu përgjigj edhe kritikave se Albin Kurti ka takuar deputetin e partisë Gorane Adem Hoxha të cilin dikur LVV-ja e quante deputet i afërt me Listën Serbe.
“Nuk ka vend për bashkëpunim me Listën Serbe. Unë nuk mendoj se Nedad Rashiq ka bashkëpunim të afërt me Listën Serbe. Po ashtu, Adem Hoxha nga partia Gorane nuk është anëtar i Listës Serbe. Nuk mendoj se është ndonjë problem i madh aty”, tha ai./RTV21/21Media