Thaçi kujton Rambujen: Sa herë që ne kemi qenë të bashkuar, gjithmonë kemi dalë fitimtarë

20 vjet nga konferenca e Rambujesë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar Konferencën e Rambujesë. Ai përmes një statusi në Facebook e ka cilësuar si rezultat i këtyre negociatave është bërë intervenimi i NATO-s që i dha fund luftës.

“Sot u bënë dy dekada nga nisja e punimeve të Konferencës së Rambujesë, e cila ishte iniciuar nga Grupi i Kontaktit. Pas mbi një muaj negociatash që rezultuan pa marrëveshje të përbashkët, nisi edhe intervenimi i NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë. Republika e Kosovës nuk duhet të frikësohet asnjëherë nga dialogu kur pranë ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera mike. Bashkë i kemi dhënë fund luftës dhe bashkë e kemi ndërtuar edhe paqen.Edhe në Rambuje, edhe sa herë që ne kemi qenë të bashkuar, gjithmonë kemi dalë fitimtarë.  Prandaj, edhe paqen afatgjate në rajonin tonë duhet ta ndërtojmë së bashku. Këtë duhet ta bëjmë për hir të brezave të rinj dhe një të ardhmeje më të mirë për popullin tonë dhe tërë Ballkanin Perëndimor!”, ka shkruar Thaçi në Facebook ku ka publikuar fotografi bashkë me Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen nga Rambuje.

Para 20 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i kishte filluar punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili ishte mbajtur në afërsi të Parisit, kishte synim t’i jepte fund luftës në Kosovë dhe gjetjen e një zgjidhje për paqe afatgjate./21Media

Back to top button