Thaçi në Reçak: Heshtja e ndërkombëtarëve ua ka hapur gojën lidershpit të Serbisë

Thaçi bëri homazhe në Reçak

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri homazhe sot në kompleksin përkujtimor në Reçak. Thaçi duke e cilësuar Masakrën e Reçakut si pikën kulminante të masakrave të shtetit të Serbisë në Kosovë, tha se heshtja e ndërkombëtarëve ka ndikuar që Serbia ta mohojë këtë masakër.

“Për fat të keq duhet të them me zhgënjim se edhe heshtja e ndërkombëtarëve dhe mosvizita e tyre sidomos këtu në Reçak që është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë, ua ka hapur gojën dhe e ka amnistuar në një formë apo formën tjetër edhe lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë, me krenari të mohojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë.“, u shpreh Thaçi.

Duke numëruar 400 masakrat e kryera në Kosovë nga Serbia, 1300 fëmijët e vrarë, dhunimin e 20 mijë grave dhe 13 mijë civilëve të vrarë, Thaçi po ashtu tha se për derisa Serbia nuk i pranon përgjegjësitë dhe nuk kërkon falje për krimet që ka kryer në Kosovë nuk ndërtohet e ardhmja.

Pas dënimit me dy vjet burg të ish ministrit të Administratës dhe Publikut Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq për shkak të veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili masakrën e Reçakut po ashtu e ka quajtur “fabrikim”.

“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën, edhe unë e përsëris tani – krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”, kishte thënë Vuçiq.

Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur./21Media

Back to top button