Thaçi pas takimit me Vuçiq: Nuk negociuam, ishte takim i vullnetit të mirë

Presidenti i Kosovës u takua me presidentin serb në Washington

Më herët dy presidentët ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takuan në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ndërmjetësimin e të dërguarit të veçantë të Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Presidenti Thaçi gjatë kthimit drejt Kosovës, në linjë telefonike për Klan Kosovën ka deklaruar se takimi me Vuçiq ishte shumë i rëndësishëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti ka deklaruar se takimi është thirrur nga ambasadori Richard Grenell, dhe se ishte takim në kornizat e korrektësisë dhe konstruktivitetit ndërshtetëror.

Ai ka theksuar se nuk ka pasur negociata, ka qenë thjesht një takim i vullnetit të mirë pasi të dy presidentët kanë qenë në Washington për vizita të ndara. Ai ka deklaruar se takimi ishte mbajtur me dijeninë dhe mbështetjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas presidentit Thaçi, ky takim nënkupton një kthesë, pasi është takimi i parë në histori i organizuar në Washington. Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara lidhur me marrëdhëniet Kosovë – Serbi, po bëjnë atë që të tjerët nuk kanë aftësi, mundësi e potencial që ta bënë, duke theksuar se duhet të punojmë me ata që na ndihmuan gjithmonë për të arritur tek marrëveshja finale, e këtë mund ta bëjnë vetëm SHBA-të me lidershipin e tyre.

Presidenti ka kërkuar që të mërkurën ose të enjtën të dalë para Kuvendit të Kosovës për të raportuar për takimet që i kishte në Washington, me një theks të veçantë tek takimi i fundit me presidentin serb./21Media

Back to top button