Thaçi për Washington Post thotë se do të shqyrtojë heqjen e taksës

“Gati të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse ka një rrugë të qartë për të vazhduar drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare”

Nën presionin e administratës së presidentit Donald Trump për një ceremoni paqeje në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është zotuar të marrë një hap të madh drejt një zgjidhje me rivalin ballkanik – Serbinë.

Trump ka bërë një apel të pazakontë të drejtpërdrejtë ndaj krerëve serbë dhe kosovarë, pasi 10 vjet armiqësie kërcënojnë ‘të vlojnë’ në konflikt të armatosur dhe pasi administrata e tij ndjek një kanal për të zbutur tensionin me Serbinë e mbështetur nga Rusia, shkruan Washington Post.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri një udhëtim diplomatik në Berlin muajin e kaluar, ku u takua me ambasadorin e SHBA Richard Grenell, një njeri i besueshëm i Trump. Thaçi u zotua pastaj se do të ndryshonte kursin për tarifat ndëshkuese të vendosura mbi të gjitha mallrat serbe.

Në një shkëmbim me The Washington Post të premten, të kryer në gjuhën angleze përmes email-it, Thaçi tha se është “gati të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse ka një rrugë të qartë për të vazhduar drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare të Paqes me Serbinë është e hapur për Kosovën”.

Tarifat e imponuara muajin e kaluar – një veprim që ka zemëruar Serbinë dhe Rusinë dhe alarmoi Bashkimin Evropian – u shoqërua me kërcënime nga Kosova për të krijuar një ushtri. Serbia kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kryeqyteti i saj, Beograd, ka paralajmëruar për një ndërhyrje të armatosur mbi mosmarrëveshjet e fundit, përkujton Washington Post.

“Po, tarifat janë një masë e jashtëzakonshme. Gatishmëria nga ana jonë për t’i larguar është atje. Ajo bëhet një zgjidhje e fortë nëse ne ndjejmë mbështetje dhe udhëzime nga partnerët tanë. Nga ana ime, unë do të siguroj popullin e Kosovës se udhëzimi dhe mbështetja është krejtësisht atje’, tha Thaçi.

“Miqtë e Kosovës dhe unë ndajmë një kuptim të qartë dhe të gjallë për sfidën e madhe që kemi para nesh në drejtim të bërjes së asaj që ne jemi të thirrur të bëjmë nga ndërgjegjja jonë dhe nga detyrimi ynë historik – për ta bërë paqen e mundur dhe të qëndrueshme”, shton ai.

Trump u dërgoi letra personale drejtuesve të të dy vendeve muajin e kaluar, duke u kërkuar atyre të kthehen në bisedimet e paqes dhe duke ofruar mundësinë e një ftese të përbashkët të Shtëpisë së Bardhë.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike do të ishte pengesë tragjike, pasi shans tjetër për marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk ka gjasë të ndodhë së shpejti”, shkruante Trump në letrën dërguar Thaçit dhe Vuçiq.
Të dy udhëheqësit thanë se i morën letrat si një shenjë se Trump është i gatshëm të marrë një rol më aktiv si ndërmjetës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 28 nëntor, në një shkrim për Washington Post, mbrojti 100 për qind tarifat mbi mallrat serbe si një veprim mbrojtës “në emër të tregtisë së ndershme, sigurisë kombëtare dhe interesave jetësore kombëtare”.
Trump anashkaloi çështjen e shkëmbimeve të kufijve në letrën e tij, por gjuha e tij sugjeron se ai do të pranonte këtë nëse të dy palët do të binin dakord, shkruan WP.

“Letra e presidentit Trump qartësoi shumë gjëra në një situatë që deri kohët e fundit u shënua nga një ndjenjë gjithnjë në rritje e konfuzionit dhe shqetësimit, për shkak të një sërë qëndrimesh kontradiktore, deklaratave dhe ideve në lidhje me Kosovën dhe Serbinë”, tha Thaçi.

Ai kërkon bisedime dypalëshe “me SHBA-në në një rol udhëheqës në koordinimin e kontributit ndërkombëtar për marrëveshjen përfundimtare të paqes që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia”.

Back to top button