Thaçi – Ramës: Faleminderit për ftesën, por e refuzoj!

Presidenti i Kosovës komentoi ftesën e kryeministrit shqiptar për pjesëmarrje në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët ka ftuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçin në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Thaçi me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka falënderuar kryeministrin shqiptar për këtë ftesë, duke shprehur mirënjohjen më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Shqipërisë.

Megjithatë Thaçi ka theksuar se Kosova ka probleme në konsolidimin e shtetit të vet, e pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës.”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti shton se për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal, shkruan rtv21.tv.

“Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar Thaçi.

Ai në fund ka bërë të ditur se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar.

“Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë.”, ka përfunduar presidenti shkrimin e tij./21Media

Back to top button