Thaçi: Rënia e Mujës dhe 41 bashkëluftëtarëve ishte goditje e rëndë për luftën

Thaçi kujton Komandant “Kapuçin”

Sot bëhen 21 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook” e ka kujtuar në Komandant “Kapuçin” duke thënë se ishte ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Edhe pse ende i pashëruar, ai nuk kishte pranuar të qëndrojë larg luftës, por në kushte të rënda dimri, me plagë në trup dhe me plot armatim ishte nisur drejt frontit në Kosovë. Gjatë hyrjes në Kosovë, Muja dhe bashkëluftëtarët e tij kishin rënë në një pritë serbe, ku pas betejës së ashpër dhe thyerjes disa herë të rrethimit, duke u munduar që t’i tërheq luftëtarët e tij, heroikisht ra edhe vetë komandanti, njëri ndër bartësit kryesorë të luftës së UÇK-së plot një dekadë”, ka shkruar Thaçi.

I pari i Kosovës, ka thënë se rënia e Mujës dhe e 41 luftëtarëve të tij ishte një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, por siç thotë Thaçi ata u bënë frymëzim edhe për mijëra ushtarë dhe vullnetarë që pandalshëm po i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar Thaçi.

21 vjet më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 luftëtarët e UÇK-së deri sa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.

Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.

Dëshmorët e UÇK-së të rënë në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar u varrosën në Polac të Drenicës me nderime larta ushtarake, më 21 dhjetor të vitit 1998.

Back to top button