Thaçi: S’kemi biseduar për pjesëmarrje në Qeveri

PDSH ndryshon ndaj BDI e Lëvizjes Besa

“Zgjedhjet tek shqiptarët i fitoj Lëvizja Besa në koalicion me RDK dhe sinqerisht, atyre ju uroj këtë fitore dhe ju dëshiroj shumë sukses. Si kryetar i PDSH-së ju shprehi mbështetjen e plotë opozitare të këtij koalicioni dhe të njëjtën kohë konstatoj para opinionit se mbështetja politike për deputetët tonë që i kemi fituar do të jenë komplet në mbështetje të politikës dhe partisë Lëvizja Besa dhe të RDK”, tha Kryetari i PDSH, Menduh Thaçi.

Kjo ishte deklarata e të parit të PDSH, Menduh Thaçi pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 dhjetorit të vitit kaluar, në përkrahje të Lëvizjes BESA. Por, shtatë muaj më pas, kreu i PDSH ka mendim tjetër për këtë subjekt politik, shkruan tv21.tv

“Unë kamë shprehur dëshirë që të takohem edhe me drejtuesit e Lëvizjes Besa, por ata kishin një kërkesë tërësisht të pakuptueshme për mua. Ata kërkuan që takimi të mbahet jashtë opinionit publik dhe pa media”, shtoi Thaçi.

E për këtë TV21 kërkoi që të marr përgjigje edhe nga Lëvizja Besa, por nga kjo parti thonë se nuk duan ti komentojnë deklaratat e Thaçit, që sipas tyre janë të çuditshme.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi mbrëmë u takuan kokë më kokë në njërin prej restoranteve në Tetovë. Pas takimit dyorësh, ata theksuan se ato janë pjesë e aktiviteteve për bashkërendimin e qëndrimeve brenda subjektit politik shqiptar rreth marrëveshjes së Përzhinës.

“Mbetet që edhe në të ardhmen të vazhdohen këto takime dhe të shohim se si t’i koordinojmë edhe më mirë punët që më me lehtësi të arrijmë te realizimi i pikave të kësaj marrëveshje”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Kryetari i PDSH-së nuk e mohoi se ka ndryshuar qëndrim ndaj kryetarit të BDI-së. Sipas tij, Ahmeti vazhdon të jetë oponenti kryesor politik i Partisë Demokratike Shqiptare. I pyetur nëse ka pasur ndonjë ofertë për t’u bërë pjesë e ekzekutivit, Thaçi tha se kjo nuk ka qenë pjesë e bisedimeve./21Media

 

Back to top button